Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli ka vdekur në moshën 65-vjeçare, ka thënë zëdhënësi i tij, Roberto Cuillo.
Sassoli ka vdekur më 11 janar në një spital në komunën Aviano të Italisë, ka thënë Cuillo.
Më 10 janar, Parlamenti i BE-së ka konfirmuar se politikani italian i qendrës së majtë, është shtrirë në nj spital në Itali prej 26 dhjetorit.
Përmes një deklarate, është thënë se “shtrirja në spital ka qenë e domosdoshme për shkak të komplikimeve serioze të nxitura nga mosfunksionimi i sistemit imunitar”.
Sassoli ka qenë anëtar i Parlamentit të BE-së prej vitit 2009.
Më 2019, ai është zgjedhur president i Parlamentit me bazë në Strasburg, pas propozimit të bërë nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe grupi i demokratëve.
Mandati i tij do të përfundonte në fund të këtij muaji, dhe ai nuk pritej që të kandidonte për një mandat të dytë, transmeton Rel.