Navalny ende në koma/ Spitali gjerman jep detaje për gjendjen e tij

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Navalny ende në koma/ Spitali gjerman jep detaje për gjendjen e tij

Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny, i cili dyshohet se është helmuar, ndodhet ende në një koma artficiale, por gjendja e tij është e qëndrueshme dhe simptomat e tij po përmirësohen, thanë të premten mjekët gjermanë që po kujdesen për të.

Zoti Navalny, një politikan dhe hetues korrupsioni, i cili është një nga kritikët më të ashpër të presidentit rus Vladimir Putin, u sëmur ndërsa ishte duke udhëtuar për në Moskë nga Siberia më 20 gusht dhe aeroplani bëri ulje urgjente në Omsk të Siberisë.

Fundjavën e kaluar ai u transferua në spitalin Charité në Berlin, ku mjekët gjetën gjurmë të një lënde që bën pjesë në grupin e substancave aktive të quajtur “frenues të kolinesterazës” në trupin e tij.

44 vjeçari Navalny po trajtohet me antidotën atropinë. Spitali Charité tha se “ka pasur njëfarë përmirësimi të simptomave të shkaktuara nga aktiviteti i frenuesit të kolinesterazës”.

Advertisement

“Megjithëse gjendja e tij mbetet serioze, nuk është në rrezik jete. Megjithatë për shkak të helmimit të rëndë të pacientit, është ende mjaft herët që të parashikohen efektet e mundshme afatgjata”, tha spitali.

Gruaja e zotit Navalny, Yulia e ka vizituar atë rregullisht në spital dhe “Charité” tha se mjekët janë në kontakt të vazhdueshëm me të.

Aleatët e zotit Navalny këmbëngulin se ai ishte helmuar me qëllim dhe thonë se Kremlini ishte pas këtij sulmi, akuza që zyrtarët rusë i kanë hedhur poshtë si “zhurmë e kotë”.

Ekspertët perëndimorë kanë tërhequr vëmendjen se është shumë herët të nxirren përfundime lidhur me shkaqet që mund të kenë shkaktuar sëmundjen e zotit Navalny, por vënë në dukje se Novichok, agjenti nervor i kohës sovjetike, që u përdor për të helmuar ish-agjentin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij në Britani, ishte një frenues i kolinesterazës.

Advertisement

Mjekët rusë që trajtuan zotin Navalny në Siberi e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur përfundimin e spitalit gjerman, duke thënë se e kishin përjashtuar helmimin si diagnozë dhe se analizat e tyre për frenuesin e kolinesterazës, dolën negative.

Zoti Navalny u dërgua në Gjermani për trajtim mjekësor pasi kancelarja Angela Merkel ofroi personalisht që ai të kurohej në Berlin.

Ne kemi detyrimin të bëjmë gjithçka që kjo të sqarohet. Ishte diçka e drejtë dhe e mirë që Gjermania tha se ishte e gatshme që ta pranonte zotin Navalny. Dhe tani do të përpiqemi ta sqarojmë këtë situatë me mundësitë që kemi, që janë të kufizuara”, tha ajo në konferencën e përvitshme të verës për shtyp.

Kur të ketë më shumë qartësi për atë që ndodhi, Gjermania do të përpiqet të sigurojë një “reagim evropian” ndaj çështjes, tha zonja Merkel. Ajo përmendi helmimin e Skripalit dhe vajzës së tij, para dy vjetësh, çka bëri që shumë vende evropiane të dëbonin diplomatë rusë dhe anasjelltas.

Advertisement

Pas një takimi në Berlin me homologët e tij nga 26 vende të Bashkimit Evropian, Ministri i Jashtëm Heiko Maas theksoi se Rusia kishte detyrimin të kryente një hetim të detajuar, diçka që e kanë kërkuar shumë vende.

“Rusia duhet të kontribuojë më shumë për të qartësuar rastin Navalny, dhe hetimi që presim ne nuk duhet të jetë vetëm sa për të larë gojën. Hollësitë e këtij akti duhet të hetohen me hollësi dhe transparencë dhe përgjegjësit, direkt ose indirekt, duhet të vihen para përgjegjësisë”, tha ai.

Deri tani, autoritetet ruse duket se nuk duan të hetojnë lidhur me gjendjen e politikanit. Ekipi i zotit Navalny i bëri javën e kaluar një kërkesë Komitetit Hetues të Rusisë, që autoritetet të ndërmarrin një hetim penal me akuza për atentat ndaj një figure publike dhe përpjekje për vrasje, por thanë se nuk kanë marrë përgjigje.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ai nuk mendonte se kishte bazë për një çështje penale, përsa kohë nuk ishte përcaktuar plotësisht shkaku i gjendjes së politikanit. Prokuroria e Përgjithshme e Rusisë tha të enjten se një hetim paraprak që filloi javën e kaluar, nuk ka gjetur shenja “veprimesh të qëllimshme kriminale” ndaj zotit Navalny.

Advertisement

Përkrahësit e disidentit nuk janë të befasuar nga reagimi i Kremlinit.

“Ata e kuptojnë që çfarëdo hetimi të bëhet do të çojë në Kremlin. Ata nuk po ndërmarrin një hetim penal, sepse do të vijë momenti që do të duhet të përgjigjen se cilat janë rezultatet e hetimit”, i tha agjencisë Associated Press të premten Lyubov Sobol, një politikan i njohur i opozitës dhe një nga aleatët më të ngushtë të zotit Navalny.

Ai shtoi se megjithëse gjendja e Navalny-t nuk ka sjellë protesta të mëdha në Rusi, ka trazuar indinjatën që zjen atje.VOA

The post Navalny ende në koma/ Spitali gjerman jep detaje për gjendjen e tij appeared first on Vizion Plus.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy