
NATO është e vendosur të ndalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të luftës në Ukrainë. Kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një konference për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
“NATO ka përgjegjësinë për të parandaluar që ky konflikt të përshkallëzohet më tej. Kjo do të ishte edhe më e rrezikshme dhe do të shkaktonte më shumë vuajtje, vdekje dhe shkatërrime. Kjo është lufta e presidentit Putin. Ai duhet të ndalojë luftën, të tërheqë forcat e tij ushtarake dhe të angazhohet në përpkjekjet diplomatike.
Teksa Stotelnberg paralajmëroi anëtarët e bllokut të mos e marrin si të mirëqënë sigurinë dhe paqen, kancelari gjerman përsëriti dhe një herë tjetër se aleanca kurrsesi nuk do të përfshihet në konflikt.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim ukrainasit trima që po mbrojnë vendin e tyre dhe po i rezistojnë agresionit rus, përmes mjeteve financiare, ndihmës humanitare, por edhe dërgesave të të vazhdueshëme të pajisjeve ushtarake. Gjermania po jep kontributin e saj dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Por edhe një gjë duhet thënë qartë dhe pa mëdyshje, NATO nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në këtë luftë”.
Sakaq, Stoltenberg përshëndeti përpjekjet e Scholz për të gjetur një zgjidhje diplomatike për luftën, duke përfshirë bisedimet me presidentin rus Vladimir Putin. Ai e falenderoi atë për ndihmat ushtarake dhe humanitare dhe për mikpritjen e refugjatëve ukrainas në vendin e tij.