Në Italinë fqinje janë identifikuar dy rastet e para të infektimit me llojin e ri të Covid-19 i cili sipas shkencëtarëve britanikë ka rezultuar 70% më i transmetueshëm dhe gjendet jashtë kontrollit. Një grua dhe partneri i saj sapo ishin kthyer nga Mbretëria e Bashkuar dhe tashmë po marrin trajtimin mjekësor.
Ndërkohë situata në Britaninë e Madhe është kaotike pasi vendi është izoluar nga pjesa kontinentale europiane. Rrugët e transportit dhe udhëtimit janë mbyllur të gjitha. Situata për udhëtarët është shndërruar në një kaos pasi kanë mbetur të bllokuar në aeroporte.
Rritja e transportit në kohën e festave dhe transportimi i materialeve për shkak të pandemisë si dhe fakti që shumë sipërmarrje përpiqen të mbushin magazinat para përfundimit të fazës së ndërmjetme të Brexit më 31 dhjetor, mund të rëndojnë edhe më shumë krizën.
Pjesa më e madhe e Europës gjendet nën masa më të forta bllokuese për festat e fundvitit, pasi ecuria e pandemisë është përkeqësuar. BE do të vendosë sot nëse do të merren masa më të ashpra për mbylljen e kufijve.