Mosndryshimi, si vrasje me paramendim

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Mosndryshimi, si vrasje me paramendim

Nga Astrit Patozi

Fatmir Mediu tha sot në mesditë se Luli pretendon që është i gatshëm për ndryshimin e sistemit zgjedhor, por këtë gjë nuk e do Edi Rama. Deklarata erdhi vetëm disa minuta, pasi kishte dalë nga godina e Partisë Demokratike në një mbledhje së bashku me aleatët e tjerë më të vegjël të Lulzim Bashës.

Pothuajse në të njëjtën çast Damian Gjiknuri po thonte se nuk kishte asnjë propozim nga Partia Demokratike për sistemin dhe se partia e tij rezervonte të drejtën të fliste e fundit për këtë çështje. Ky i fundit foli menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së fundit të Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, ku me sa duket ishte debatuar për gjithçka tjetër, përveçse për sistemin.

E vetmja vlerë që ka ballafaqimi i këtyre deklaratave është për të kuptuar se i vetmi shqetësim, që kanë sot dy partitë më të mëdha në Shqipëri është se si t’ia lënë në prehër njëra tjetrës kopilin e mosndryshimit e ndoshta edhe dështimin e plotë të reformës zgjedhore, në rast se pazari i fundit nuk do t’i pëlqejë njërës palë.

Advertisement

Por po lodhen kot, sepse e kanë të pamundur të gënjejnë kaq shumë sy, që po ndjekin me vëmendje edhe lëvizjen e tyre më të imët, teksa gjenden nën dritën e fortë të të gjithë projektorëve vendas e të huaj.

Fakti që kanë frikë ta marrin përsipër mosndryshimin dhe ruajtjen e statuskuosë do të thotë se janë plotësisht të vetëdijshëm se po bëjnë gjënë e gabuar, por thjesht u duhet të fshihen pas njëri-tjetrit, qoftë edhe për të fituar kohë. Ndoshta ngaqë e dinë se vrasjet me paramendim dënohen, në rastin më të mirë dyfishin e krimeve spontane, dhe se ato nuk falen dhe as nuk amnistohen ndonjëherë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy