“Dritë në fund të tunelit” edhe për kampionatin italian të futbollit, që duket se po shkon drejt rifillimit të sezonit 2019-2020, pasi Komiteti Shkencor Teknik miratoi sot protokollin e hartuar nga Federata Italiane e Futbollit dhe Liga e Serisë A.
Miratimi i këtij protokolli “ndez dritën jeshile” që skuadrat të mund të stërviten në grup tashmë, ndërsa në ditët në vijim pritet të vendoset edhe për datën kur do të nisin ndeshjet e vërtetë atë kampionatit, ndonëse pa praninë e tifozëve.
Çështja e protokollit për rifillimin e kampionatit italian ishte bërë temë dite në vendin fqinj, pasi është modifikuar 2-3 herë, për të arritur në versionin final, që duket se ka bërë bashkë si klubet e Serisë A, ashtu edhe Komitetin Shkencor.
Ndërkohë më herët, Ministri i Sporteve Vincenzo Spadafora konfirmoi vullnetin për të rinisur kampionatin që më 13 qershor, nëse kurba e të prekurve dhe të vdekurve prej koronavirusit do të vijojë të ulet siç edhe ka ndodhur gjatë këtyre ditëve.