Ministria ruse e Mbrojtjes përmes një deklarate zyrtare ka pohuar se kanë arritur të gjitha qëllimet ushtarake të planifikuara për sot – referuar agresionit të paparalajmëruar të 24 shkurtit.
Autoritetet kanë zbuluar më herët se ushtria ruse, sipas tyre, ka shkatërruar 74 objekte ushtarake ukrainase, duke përfshirë 11 baza ajrore.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu urdhëroi që ushtarakët ukrainas të trajtohen “me respekt” dhe ata që do të lënë armët të ofrojnë rrugëdalje të sigurta.
Granatimet ruse filluan herët në mëngjesin e së enjtes në Ukrainë.
Kjo, vetëm pak çaste pasi Putin tha se kishte “vendosur të kryente një operacion të posaçëm ushtarak”.
Fushata e presidentit rus synonte “çmilitarizimin dhe denazifikimin” e vendit fqinj.
Ai u bëri thirrje forcave të Ukrainës që të ulin armët dhe të dorëzojnë vendin e tyre nën kontrollin rus.
Putin paralajmëroi SHBA-të dhe NATO-n që të mos ndërhyjnë ose do të përballen me “pasoja që nuk i kanë parë kurrë”.