Në Rusi, Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar të fajësojë të ashtuquajturit diversantë ukrainas për një sulm në vendin e centralit bërthamor të Zaporizhzhia-s në Ukrainë.
Sipas palës ukrainase, forcat ruse sulmuan fabrikën në orët e para të së premtes, duke i vënë flakën një objekti trajnimi pesëkatësh atypranë.
Ky incident provokoi dënimin ndërkombëtar të Moskës, një javë pas pushtimit të saj në Ukrainë.
Një zëdhënës i ministrisë ruse ka thënë se centrali bërthamor po funksiononte normalisht dhe zona ishte nën kontrollin rus që nga 28 shkurti.
“Mbrëmë në territorin ngjitur me termocentralin, u bë një përpjekje nga regjimi nacionalist i Kievit për të kryer një provokim monstruoz”, ka thënë zëdhënësi Igor Konashenkov.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u ka drejtuar thirrje të drejtpërdrejta rusëve që të organizojnë protesta për kapjen e infrastrukturës së energjisë bërthamore nga trupat ruse në Ukrainë.
“Popull rus, dua t’ju bëj thirrje: si është e mundur kjo? Në fund të fundit, e luftuam së bashku në vitin 1986 kundër katastrofës së Çernobilit”, ka thënë ai.