Provokim dhe kalim i vijës së kuqe, është cilësuar hyrja e ministrit izraelit të Sigurisë, Ben-Gvir në kompleksin e xhamisë Al Aksa në Jerusalem. Ministri, i cili i përket ekstremit të djathtë të Izraelit, ka kërkuar që shteti hebre të ketë më shumë akses në vendin e shenjtë të myslimanëve. Vizita e tij ngjalli reagime të ashpra, duke u cilësuar si provokim i pastër nga bota arabe, por edhe nga opozita izraelite.
Ministria e Jashtme palestineze tha se dënon fuqishëm sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa nga ministri ekstremist Ben-Gvir dhe e sheh atë si provokim të paprecedentë dhe një përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit.
Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, të cila kanë rregulluar raportet me Izraelin vitet e fundit e dënuan vizitën e ministrit. Udhëheqësi i opozitës izraelite, ish-kryeministri Yair Lapid kishte paralajmëruar se hyrja e planifikuar e Ben-Gvir në kompleks do të çonte në dhunë dhe e quajti atë një provokim të qëllimshëm që do të vërë jetët në rrezik.
Jerusalemi Lindor dhe Kompleksi Al Aksa është vendi i tretë më i shenjtë i Islamit pas Mekës dhe Medinës. Në të lejohet vetëm hyrja e myslimanëve. E djathta ekstreme izraelite është përpjekur ta ndryshojë këtë dhe të lejojë lutjen në vend, pavarësisht kundërshtimit nga shumë hebrenj ultra-ortodoksë dhe ndalimit nga rabinët kryesorë.
Ekstremi i djathtë izraelit ka kërkuar prej vitesh që brenda kompleksit të ndërtohet një tempull i shenjë për hebrenjtë. Kjo ka ngjallur frikën për një tjetër përplasje të përgjakshme.