Militanti i Berishës më kërcënon me vdekje 3 minuta pas shpifjeve të ish-kreut të PD-së ne TV Klan

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Militanti i Berishës më kërcënon me vdekje 3 minuta pas shpifjeve të ish-kreut të PD-së ne TV Klan

Nga Carlo Bollino

Një simpatizant dixhital i Sali Berishës dhe Lulzim Bashës më nisi mbrëmë një mesazh vdekjeje. ”Plumi ke ne horre shume shpejt. Mafioz di merda” më shkruajti në messenger-in personal një farë Arjan Fatime Pupa, lindur në Sukth dhe banues në Itali, në provincën e Novarës. Mesazhi “elegant” më erdhi në 21:41, tamam tre minuta pasi Sali Berisha më sulmonte me shpifjet e tij të zakonshme gjatë emisionit “Opinion” ne Tv Klan të drejtuar nga Blendi Fevziu, kur me ka etiketuar si ”Karlo Malavita”. Lidhja është tepër e dukshme: Berisha më sulmon publikisht duke më mbuluar me shpifje (pa u shqetësuar dhe u ndërprerë fare nga drejtuesi i emisionit, i cili as guxon t’I tërheqë vëmendjen për respekt ndaj një gazetari), dhe një militant i tij më kërcënon me vdekje.

Sot paraqita kallëzim penal në policinë e Tiranës dhe në Prokurori për “kanosje për shkak të detyrës”. Tani, Arjan Fatime Pupa do të përgjigjet përballë gjykatësve për kërcënimin e tij dhe do të jenë ata që do të gjykojnë nëse të kërcënosh me vdekje një gazetar është vepër penale apo jo. Shoh profilin e tij në Facebook ku publikon foto të familjes, i lumtur pranë fëmijëve të tij dhe gruas së tij dhe duket e pabesueshme se si një baba i qeshur të mund të transformohet në një killer dixhital vetëm për t’i pëlqyer Sali Berishës.

Profili i tij në Facebook është imazhi i kësaj kontradikte që është kontradikta e mijëra urryesve të tjerë dixhitalë: Foto të familjes ngjitur me share të mesazheve kërcënuese të Berishës dhe Lulzim Bashës, foto të fëmijëve të tyre që presin tortën e ditëlindjes ngjitur me postime që quajnë “kriminel” Edi Ramën ose lavdërojnë dhunën ndaj gazetarëve kritikë me opozitën. Por problem nuk është Arjan Fatime Pupa, të cilin nuk e njoh dhe nuk kam asgjë personale.

Advertisement

Problemi është kjo opozitë që vazhdon të mbjellë urrejtje kundër çdo mendimi ndryshe, e që gënjen pa pushim duke i dhuruar pëlqim dhe besueshmëri atyre që qeverisin. Problemi është Sali Berisha që urren gazetarët e lirë dhe koncepton lirinë e shtypit vetëm për shërbëtorët e tij të vegjël. Problem janë edhe gazetarët që pretendojnë të vërtetën nga të tjerët por ndajnë dhe tolerojnë gënjeshtrat e këtij plaku të inatosur me botën mbarë.

Ndoshta ndodh për servilizëm ndaj një ish qeveritari që ka mbushur me miliona besnikët e tij, ose sepse gazetarët edhe sot e kanë frikë, moderatorët televizivë e kënaqin dhe ai flet, flet e flet pa respektuar të vërtetën, duke shpërndarë shpifje e duke shkelur çdo formë respekti për të tjerët. Tani kemi provën se fjalët e tij kanë aftësinë të ndezin edhe dorën e një killeri, për momentin vetëm dixhital.

Kërcënime me vdekje për një gazetar ndodhin kudo, por në demokracitë e vërteta politika dhe forcat e shëndetshme të vendit distancohen dhe dënojnë këtë lloj kërcënimi. Në pritje që drejtësia të bëjë punë e saj, presim që Sali Berisha të kritikojë militantin e tij duke i kujtuar vlerat e jetës, ndryshe, me heshtjen e tij do të bëhet bashkëpunëtor.

Fotografia e Carlo Bollino

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy