Shefi ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk, ka shitur aksione në vlerë të rreth 5 miliardë dollarëve.
Ky njoftim ka ardhur disa ditë pasi ai ka pyetur 63 milionë ndjekësit e tij në Twitter, nëse duhet të shesë 10 për qind të aksioneve të Teslas.
Vlera e aksioneve ka rënë për 16 për qind dy ditë pasi ka nisur anketën në Twitter, rezultati i së cilës ka qenë në favor të shitjes.
Megjithatë, vlera e aksioneve është rritur sërish të mërkurën.
Tesla është kompania më e shtrenjtë e prodhimit të makinave në botë, me vlerë deri në 1 trilion dollarë.
Rregullatori për aksione në Shtetet e Bashkuara ka thënë se për një pjesë të mirë të aksioneve veçse ka pasur plan të tregtimit nga muaji shtator, para se Musk të kërkonte mendimin e audiencës në Twitter.
Elon Musk është njeriu më i pasur në botë, me një pasuri personale në vlerë të 280 miliardë dollarëve.
Veprimi i tij është përgjigje ndaj taksave për miliarderë, që janë propozuar nga demokratët amerikanë.
Sipas planeve të propozuara nga Partia Demokratike në Senatin amerikan, miliarderët mund të tatohen për “fitimet e parealizuara”, kur çmimi i aksioneve të tyre rritet – edhe nëse ata nuk shesin asnjë nga aksionet e tyre.
Kritikët kanë thënë se vlera e aksioneve nuk rritet gjithmonë./R.E.L