Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar sërish për Teatrin Kombëtar. Përmes një shënimi në facebook, Meta thotë se ajo që ndodhi më 17 maj, nuk do amnistohet kurrë, se dhe e gjithë bota demokratike u shokua.
Kreu i Shtetit thotë se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi, por fitoi një kauzë të madhe, përmes së cilës shumë shqiptarë të përgjumur të çohen e të kërkojnë të drejtën e tyre, kauzë që sipas presidentit Meta, do vazhdojë deri në shembjen e tiranisë dhe rindërtimin e teatrit.
Postimi i plotë i Metës:
Ajo që ndodhi në errësirën e 17 majit nuk do të amnistohet kurrë!
Ndërgjegjja shoqërore dhe kombëtare u lëndua si kurrë më parë.
Maska e tiranisë ra përpara të gjithë shqiptarëve dhe e gjithë bota e vërtetë demokratike u shokua.
Kurrë një ngjarje nga Shqipëria s’do prodhonte një jehonë të tillë dhe negative, që nuk shlyhet më dhe as harrohet derisa mbi rrënojat e 17 Majit të vendoset Drejtësia.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi, por fitoi një kauzë edhe më të madhe duke i ndihmuar të gjithë shqiptarët e përgjumur për t’u zgjuar e bashkuar para se Tirania t’i shembë secilit shtëpinë e tij si banorëve të Unazës së Re.
Të gjithë shqiptarët e ndershëm u ndjenë të dhunuar pabesisht dhe poshtërsisht pasi Teatri ishte tempulli i tyre i përbashkët.
Të gjithe u ndjenë edhe në faj e borxh për heronjtë dhe heroinat që e mbrojtën atë për dy vjet e gjysmë me sakrifica të patreguara dhe nën presione të gjithanshme.
Tani kauza e tyre është e të gjithëve ne, dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e Tiranisë dhe Rindërtimin e Teatrit. Mirënjohje të përjetshme artistëve të cilët zgjuan qytetarinë.
Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë.
A nuk u zgjuam në diktaturë në mes të errësirës në 17 maj?