Një mësuesi i është prerë koka në një lagje në veri-perëndim të kryeqytetit francez, Paris, është thënë në raportimet e mediave, derisa sulmuesi është qëlluar për vdekje.
Viktima në rajonin Conflans-Sainte-Honorine ka qenë mësues, që është thënë se ka shfaqur karikatura të Profetit Muhamed para studentëve të tij.
Prokurorit francez kundër terrorizmit i është kërkuar që të drejtojë hetimet.
Sulmi është thënë të ketë ndodhur në orën 17:00 me orën lokale, afër një shkolle.
Ministri i Edukimit, Jean-Michel Blanquer, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se vrasja e mësuesit ka qenë sulm ndaj Republikës franceze.
Ai ka thënë se mendimet e tij janë me viktimën dhe familjen e tij dhe se të qenit bashkë është përgjigjja e vetme ndaj “terrorizmit islamik”.
Në Parlamentin e Francës, deputetët kanë nderuar viktimën dhe kanë dënuar “sulmin mizor terrorist”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron pritet të vizitojë skenën e sulmit gjatë së premtes.
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, i cili ka qenë në rrugë drejt Marokut, është duke u kthyer urgjentisht në Paris.
Agjencia e lajmeve, AFP, ka cituar policinë dhe prokurorët të kenë thënë se viktima ka qenë me kokë të prerë.
Një burrë me një thikë të madhe është raportuar të ketë sulmuar mësuesin në rrugë, duke i prerë kokën. Sulmuesi më pas ka ikur mirëpo policia lokale, e alarmuar nga publiku, ka arritur shpejt në skenën e sulmit.
Kur policia ka shtënë me armë zjarri që ai të dorëzohet, sulmuesi i ka kërcënuar zyrtarët policorë.
Ata më pas e kanë qëlluar me armë zjarri dhe ai ka vdekur.
Hetimet për këtë rast është thënë se janë duke vazhduar./R.E.L