Franca dhe Britania do të dorëzojnë një rezolutë gjatë mbledhjes urgjente të Kombeve të Bashkuara, të hënën, duke propozuar krijimin e një zone të sigurt në Kabul, me qëllim që të mbrohen njerëzit që po tentojnë të largohen nga Afgansitani, tha presidenti francez, Emmanuel Macron.
“Propozim-rezoluta jonë ka për qëllim që të definojë një zonë të sigurt në Kabul, nën kontrollin e OKB-së, që do të lejonte vazhdimin e operacioneve humanitare”, tha Macron në një intervistë për gazetën Le Journal du Dimanche, që u publikua të dielën.
Gjatë vizitës së tij në Mosul të Irakut, Macron kishte deklaruar se shpreson që një propozim i tillë të përkrahet.
“Nuk shoh se kush mund ta kundërshtojë vazhdimin e sigurt të operacioneve humanitare”, deklaroi Macron për gazetarët.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka thirrur takimin e Këshillit të Sigurimit për të diskutuar për Afganistanin.
Macron të shtunën deklaroi se Franca do të zhvillojë diskutime me talibanët lidhur me situatën humanitare në Afganistan dhe për mundësinë e evakuimit të më shumë njerëzve.
Forcat amerikane, që ruajnë aeroportin e Kabulit, kanë filluar tërheqjen. Ata duhet të tërhiqen nga Afganistani deri më 31 gusht.
Franca është në mesin e shumë vendeve që veçse kanë përfunduar operacionet e tyre të evakuimit nga aeroporti i Kabulit./ REL