“Fushëbeteja” ishte në rrugën që lidh qytetet Cabora dhe Sonoyta në shtetin Sonora, rreth 144 km larg kufirit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mediat lokale shkruajnë se 10 persona u grabitën të premten e kaluar pas një sulmi të nisur nga banda e Héctor Luis Palma Salazar, ish-ortakut të Joquin Guzman. Ndërsa viktimat mendohet se janë pjesë e grupit të Rafael Caro Quintero.
Pavarësisht ngjarjeve tragjike, mbetet ende e paqartë nëse djemtë e El Chapo-s, Jesús Alfredo Guzmán, Iván Archivaldo dhe Ovidio Guzmán López, janë në konflikt me organizatën e Caro Quintero-s. Që prej daljes së këtij të fundit nga burgu, mendohej se ata ishin bashkuar për të luftuar një tjetër kartel të fuqishëm droge “Jalisco Nueva Generacion” në shtetin Miçoakan.
Quintero, jeta e të cilit portretizohet në serialin “Narcos: Mexico”, ka qenë bashkëthemeluesi i Kartelit të Guadalaharës, me Miguel Ángel Félix Gallardo dhe Ernesto Fonseca Carrillo.
Në vitin 1985, Quintero ishte pjesë e grupit që urdhëruan vrasjen e agjentit të DEA-s Enrique Camarena, një histori që tregohet edhe në serialin e Netflix, Narcos Mexico. Quintero u arrestua në vitin 1985 dhe u dënua në Meksikë me 40 vite burg, por në vitin 2013 u la i lirë nga Gjykata për një kleçkë teknike. E kur Gjykata vendosi të nxirrte sërish një urdhër arresti, ai tashmë ishte zhdukur. Ai konsiderohet si “bosi i fundit i madh i narkotrafikut”, pas arrestimit të Joaquin El Chapo Guzman.