Rreth 150 objektiva nëntokësore, duke përfshirë edhe tunele, u goditën nga forcat ajrore izraelite mbrëmë në veri të Rripit të Gazës.
Sipas raportimit të një zëdhënësi ushtarak disa terroristë janë vrarë. Izraeli deklaroi gjithashtu se një komandant i lartë i Hamasit, i quajtur Asem Abu Rakaba, është vrarë, raporton BBC.
Izraeli deklaroi se ai kishte qenë drejtpërdrejt përgjegjës për aftësitë ajrore të Hamasit, duke përfshirë dronët dhe paragliderët e përdorur në sulmet e 7 tetorit, kur u vranë 1,400 njerëz në Izrael.
Shkatërrimi në terren është pothuajse apokaliptik në disa zona dhe numri i të vdekurve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi është rritur në mbi 7 mijë, ku gjysma prej tyre thuhet se janë fëmijë.
Izraeli ka marrë shumë kritika për intensitetin në rritje të fushatës ajrore, veçanërisht nga familjet e 229 pengjeve që ende mbahen nga Hamasi në Gaza, por qeveria izraelite ka deklaruar se nuk është penduar për këtë gjë.
Fjala “armëpushim” as që po merret parasysh, thonë zyrtarë qeveritarë dhe Izraeli nuk do të ndalë luftën derisa të arrihet qëllimi i tij për të mposhtur plotësisht Hamasin.