Gjithçka shkruhet, deklarohet dhe shpërndahet në publik. Kur Shtëpia e Bardhë autorizoi furnizime të reja luftarake për Ukrainën, kishte katër fjalë në fund të “listës së blerjeve”: imazhe satelitore dhe punë analitike.
Ndarja e inteligjencës amerikane me ukrainasit ka marrë karakteristika “revolucionare” dhe të paprecedentë, tha gjenerali Scott Berrier, drejtor i DIA-s, spiunazhit ushtarak, gjatë një seance dëgjimore në Kongres.
Pastaj kolegu i tij, Paul Nakasone, kreu i Komandës Cyber dhe Agjencisë Nacionale të Sigurisë (NSA), agjencia që dëgjon gjithçka, hyri në skenë, duke thënë se në “35 vitet e shërbimit tim nuk kam parë kurrë një bashkëpunim më të mirë për të ndarë atë që dimë”.
Shenjat e SHBA-ve
“Ne vazhdimisht kemi ndarë informacione të detajuara me qeverinë ukrainase”, tha Jen Psaki, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë në fillim të marsit.
“Ky informacion i lejoi ata të kuptonin planet ruse dhe të zhvillonin një përgjigje të dobishme ushtarake”.
Bashkëpunimi me Ukrainën, i cili filloi në vitin 2015, është bërë shumë efektiv me kalimin e kohës.
Spiunët amerikanë kanë parashikuar për muaj të tërë atë që do të ndodhte më pas. Një rrjedhje e vazhdueshme informacioni, e paparë më parë, zbuloi hapur pushtimin.
Më pas, pasi filloi konflikti, ata reaguan në disa nivele: zbulimi elektronik ajror dhe satelitët mblidhnin “sinjalet” ruse, përgjonin komunikimet, monitoronin nga distanca – por edhe nga afër, falë instrumenteve – lëvizjet e ushtrisë ruse.
Një përpjekje që përfshin avionë nga vende të ndryshme, edhe evropiane.
Më pas u kaluan ukrainasve koordinata të sakta, paralajmërime dhe detaje.
Sipas disa analistëve është e mundur që sulme të shumta precize të kryera nga rezistenca të kenë ndodhur falë sinjaleve të çmuara të ardhura nga Washington-i.
“Përbërësi sekret”, thoshte gjithmonë Nakasone, është aftësia për të punuar jashtë vendit, për të “parë se çfarë po bën kundërshtari ynë”.
CNN shkruan se u krijua edhe një bazë të dhënash në të cilën derdhen informacionet më të rëndësishme.
Një arkiv digjital në të cilin “mbrojtësit” kanë akses të menjëhershëm dhe me një afat kohor të kufizuar.
Një rol të rëndësishëm luajtën edhe stacionet e internetit Starlink, satelitët e furnizuar nga Elon Musk që lejuan Kievin të lidhej përgjithmonë me internet.
Mbledhja e të dhënave
Faqja e internetit Intercept shtoi se inteligjenca nuk është e papërpunuar, por e studiuar, kështu që mund të përdoret në mënyrë më efektive.
Shtetet e Bashkuara përforcojnë të dhënat që agjentët mund të konfirmojnë, madje duke përdorur një oficer ndërlidhës për t’i raportuar ato tek ukrainasit dhe hedhin poshtë të dhënat e pakonfirmuara.
Është një regjim i sofistikuar, i cili për momentin ka lejuar Washington-in të ofrojë ndihmë duke shmangur të bëhet një “aktor aktiv” në konflikt: për këtë arsye dronët dhe avionët e zbulimit janë të kujdesshëm që të mos hyjnë në hapësirën ajrore të Ukrainës.