“Liri, Pavarësi, Demokraci”. Me këto fjalë të heroit Ibrahim Rugova e nisi fjalën e saj në Parlamentin Europian presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se Kosova është një fener i demokracisë.
Ajo theksoi më tej se Rugova ka kërkuar që Europa të kthehet në një mbrojtje për një popull të shtypur.
“Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë”, ka thënë Osmani para eurodeputetëve në adresimin e saj.
“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës më tej i bën thirrje që Evropa të qëndrojë e palëkundur pranë Kosovës.
‘Sot jam e nderuar që jam presidentja e parë që mbaj fjalën në Parlamentin Evropian. Sot jam këtu për të folur për shtetin e pavarur për Kosovës, por edhe për t’ju thënë faleminderit. Qëndroni të palëkundur pranë nesh.”- thotë Vjosa Osmani.