Libri i ish-këshilltarit për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, padyshim që i ngriti ca dallgë. Me rrëfimet e tij për strategjinë e Presidentit amerikan Donald Trump në Kore, përgjigjen ndaj koronavirusit dhe marrëdhënieve me Kinën, kujtimet e Boltonit për Shtëpinë e Bardhë kanë mbizotëruar titujt në mbarë botën që kur filluan këtë muaj të qarkullonin kopje të librit. Shumë detaje të ekspozimit që bën aty ish-zyrtari i lartë u pritën me interes të madh në Kinë.
Por jo çdo pjesë e “Dhomës ku ndodhi” është pëlqyer njësoj. Në fakt, kur bëhet fjalë për pretendimet e Boltonit se Trumpi i kërkoi presidentit kinez Xi Jinping ndihmë për rizgjedhje dhe shprehu miratimin e tok për kampet e paraburgimit masiv në rajonin me shumicë myslimane të Xinjiangut, aty mediat kineze heshtën.
Diplomatët vendas u zunë ngushtë, thotë CNN, e i vetmi që e bëri një koment ishte zëdhënësi i ministrisë së jashtme, Zhao Lijian, që tha se Kina nuk kishte “asnjë qëllim” të ndërhynte në zgjedhjet e SHBA-së dhe se administrata Trump “e kupton qartë” qëndrimin e Pekinit për Xinjiangun.
I vetmi pasqyrim në shtyp mbi pretendimet e Boltonit për rajonin ujgur dhe çështjen e zgjedhjeve u shfaq në gazetën nacionaliste kineze të botuar në anglisht e të mbështetur nga shteti, Global Times, e cila e akuzonte ish-këshilltarin amerikan të sigurisë kombëtare se është “ndjekës i vijës së ashpër kundër Kinës”, i cili po kërkon sipas saj “ të njollosë” Pekinin e të baltosë edhe më tej ujërat e politikës së brendshme amerikane”.