Fotografi shokuese tregojnë për tragjedinë njerëzore që po ndodh, për shkak të krizës së migrimit në kufijtë e Evropës.
Një shoqatë bamirësie ka publikuar në “Twitter” disa pamje të rënda, ku duken trupat e pajetë të fëmijëve, që kanë dalë në breg pasi anija e emigrantëve me të cilën udhëtonin, u fundos.
Sipas shoqatës, fëmijët kishin udhëtuar me prindërit e tyre në një nga shumë gomonet që u nisën nga Libia ditët e fundit.
“Unë jam ende i shokuar nga këto pamje”, shkroi Oscar Camps, themeluesi i Proactiva Open Arms, në Tëitter.
Nancy Porsia, një gazetare italiane tha se trupat u zbuluan në një plazh në Zuwara të shtunën.
Imazhet janë krahasuar me fotografinë e Alan Kurdi, tre-vjeçari që u gjet me fytyrë poshtë në një plazh turk në 2015.
Një zëdhënës i Agjencisë së Migracionit në Itali tha se nuk ishte e qartë kur viktimat ishin nisur nga Libia dhe çfarë kishte ndodhur me anijen e tyre.
Mijëra njerëz janë larguar nga Libia për në brigjet e Evropës javët e fundit, por shumë nuk arrijnë kurrë në destinacionin e tyre.
Të martën kryeministri i Italisë, Mario Draghi, u takua me presidentin francez, Emmanuel Macron, në Bruksel për të diskutuar menaxhimin e mbërritjeve të migrantëve.