I pyetur nëse është realiste që dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës të rinisë në fund të qershorit, presidenti serb u shpreh se kjo është e mundur, nëse autoritetet në Prishtinë heqin kufizimet për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve nga Serbia. Dialogu Prishtinë-Beograd u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën prej 100 për qind mbi mallrat e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës. Më pas, qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri, Albin Kurti, e shfuqizoi vendimin për tarifën, duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.
As kjo masë nuk i kënaqi ndërkombëtarët; si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe BE-ja kërkuan heqjen e saj. Kryeministri I porsazgjedhur Avdullah Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do t`i heqë të gjitha pengesat që bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.