Bullgaria ka dërguar rreth 350 ushtarë në kufi me Turqinë të hënën (1 nëntor) për të ndihmuar forcat policore që të përballen me fluksin në rritje të emigrantëve, njoftoi ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Georgi Panajotov.
“Ushtarët arritën sot në kufirin bullgaro-turk për të mbështetur policinë kufitare”, tha ai për kanalin privat BTV.
Gjatë këtij viti më shumë se 6.500 njerëz kanë kaluar në mënyrë joligjore kufirin mes Turqisë dhe Bullgarisë. Shifra është trefish më e lartë se periudha e njëjtë e vitit 2020.
Bullgaria është një nga rrugët kryesore të cilën migrantët nga Lindja e Mesme e shfrytëzojnë për të hyrë në Bashkimin Evropian. Bullgaria ka ndërtuar një gardh me gjemba në kufirin me Turqinë, por ai është pjesërisht i dëmtuar.
Gjatësia e kufirit mes dy vendeve është 259 kilometra. Në muajin gusht Parlamenti i Bullgarisë pati miratuar dërgimin e 400 deri 700 ushtarëve në kufi me Greqinë dhe Turqinë.
Bullgaria është shteti më i varfër anëtar i Bashkimit Evropian prandaj emigrantët nuk synojnë të ndalen aty, por të kalojnë në vendet tjera të pasura të BE-së.
Vendet e BE-së kanë frikë se mund të ketë një fluks migrantësh nga Afganistani që kur talibanët morën kontrolline vendit më 15 gusht. Turqia, e cila nuk është anëtare e BE-së, është gjithashtu e shqetësuar për një valë të re migrimi në Evropë.
Turqia strehon gati 4 milionë refugjatë sirianë dhe 300,000 afganë, përveç migrantëve dhe refugjatëve nga pjesë të tjera të botës.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë më herët se Turqia nuk e ka përgjegjësi të jetë “depo e refugjatëve në Evropë”.
Bashkimi Evropian e ndihmon me miliarda dollarë Turqinë për të ofruar strehim për emigrantët.