Kriza afgane e refugjatëve mund ta zhysë Turqinë në një krizë të re

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Kriza afgane e refugjatëve mund ta zhysë Turqinë në një krizë të re

Nga Andrea Walton

“Il Giornale”

Goditja me thikë e dy turqve, njëri prej të cilëve ishte vetëm 18 vjeç, dhe që më pas vdiq në spital nga plagët e marra nga disa refugjatë sirianë, shkaktoi shpërthimin e një revolte të vërtetë kundër emigrantëve në kryeqytetin turk, Ankara.

Qindra njerëz të zemëruar, që mësuan mbi atë që kishte ndodhur, dolën në rrugë dhe u drejtuan drejt lagjes Altindag, të populluar nga komuniteti sirian. Turma mbërriti në vendngjarje dhe shkatërroi makina, plaçkiti dyqane e zonës dhe brohoriti parulla ksenofobike kundër emigrantëve sirianë.

Advertisement

Vetëm ndërhyrja e policisë, e etiketuar si e tepruar në mediat sociale, parandaloi përshkallëzimin e dhunës,që mund të sillte pasoja edhe më të rënda. Partia Demokratike e Popullit (HDP), e cila kundërshtohet fort nga qeveria e presidentit Erdogan, ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve kundër komuniteteve emigrante që jetojnë në Turqi, por zëri i saj rrezikon që të izolohet.

Në fakt vitet e fundit, gjithnjë e më shumë politikanë kanë bërë thirrje për kufizime të reja mbi emigracionin, dhe ardhja e mijëra emigrantëve të tjerë nga Afganistani, që po i ikin dhunës në vendin e tyre nga ri-ngjitja në pushtet e Talebanëve, i ka rindezur tensionet.

Rikthimi në pushtet i talebanëve në Afganistan, po shtyn gjithnjë e më shumë qytetarë të vendit të pozicionuar në Azinë Qendrore, që të hyjnë territorin e Turqisë me një normë të vlerësuar prej gati 1.000 njerëz në ditë.

Në Turqi jetojnë aktualisht midis 200.000-600.000 afganë, të cilët kanë mbërritur në dekadën e fundit,për t’i shpëtuar dhunës dhe varfërisë. Nxitimi i dëshpëruar për të lënë Afganistanin e ka shqetësuar jo pak botën, sidomos pas asaj që ndodhi në Aeroportin Ndërkombëtar “Hamid Karzai”.

Advertisement

Qindra civilë u përleshën midis tyre për të hipur në avionë e paktë të mbetur në aeroport. Mijëra të tjerë u përpoqën të depërtojnë në perimetrin rreth terminalit, ndërsa forcat e sigurisë qëlluan me armë në ajër për t’i sprapsur.

Ëndrra e shumë afganëve, të cilët po i ikin varfërisë dhe dhunës në rritje të talebanëve, është që të gjejnë punë dhe të jetojnë të sigurt diku tjetër. Është një ëndërr për të cilën ia vlen të rrezikosh.

Por presidenti Recep Tayyip Erdogan, u shpreh në një intervistë për televizionet “CNN Turk” dhe “Kanal D”, se Turqia nuk është një motel për emigrantët, dhe se vendi po merr të gjitha masat e nevojshme kundër një krize të mundshme të refugjatëve për shkak të situatës aktuale.

Ndër masat parandaluese është gjithashtu ndërtimi i një muri me gjatësi 156 kilometra përgjatë kufirit me Iranin,si dhe i një muri tjetër pranë kufirit me Irakun. Muri në kufirin Turqi-Iran, është pjesërisht i pajisur me pajisje të sofistikuara, siç është prania e sistemeve të ndriçimit përgjatë 109 kilometrave rrugë, dhe i sensorëve të aftë për të monitoruar lëvizjet përgjatë barrierës79 kilometra të gjatë.

Advertisement

Për të frenuar valën e re të refugjatëve, autoritetet kanë ndërtuar një sistem me 3 faza. Në të parin, kryhen veprimtaritë e vëzhgimit, patrullimit, kontrollit dhe pritës ndaj refugjatëve. Në fazën e dytë hyjnë në lojë komandot, ndërsa në fazën e tretë, në të cilën marrin pjesë Forcat e Armatosura dhe Xhandarmëria, emigrantët arrestohen dhe dëbohen nga vendi.

Turqia është vendi që mirëpret numrin më të madh të refugjatëve në botë, dhe midis tyre janë 3.6 milionë sirianë, shumica dërrmuese e të cilëve jetojnë në kushte të pasigurta për arsim dhe punë. Erdogan ka pasur një qëndrim ambivalent ndaj sirianëve.

Nga njëra anë ata shihen si një bllok votuesish të mundshëm (pasi 110 mijë prej tyre e kanë marrë tashmë shtetësinë turke). Nga ana tjetër janë konsideruar si një valvul për shfryrjen e dufit dhe justifikimin e vështirësive ekonomike, e cila aktivizohet në momentin e duhur.

Ashtu si në vitin 2018, kur pas krizës ekonomike, ata u gjendën në mesin e një fushate të paligjshme të deportimit. Ndërkohë në vitin 2020, Turqia ua hapi dyert atyre për në Evropë,në një përpjekje për të ushtruar presion mbi Brukselin e tmerruar nga ardhja e tyre.

Advertisement

Në vitin 2016, Bashkimi Evropian, nënshkroi një marrëveshje me Turqinë, klauzolat e së cilës parashikonin dhënien e 6 miliardë eurove ndihmë ndaj Ankarasë, në këmbim të angazhimit të kësaj të fundit për të ndaluar refugjatët dhe emigrantët që drejtoheshin për në Evropë.

Ndërhyrja turke në luftën civile siriane, ishte fillimisht diplomatike dhe më pas ushtarake. Turqia e dënoi sjelljen e qeverisë siriane kur shpërthyen armiqësitë me opozitën, dhe iu bashkua shumë shteteve duke bërë thirrje për largimin nga pushteti të Bashar Al-Assad.

Por gradualisht mbështetja për disidentët u shndërrua në një ndihmë dhënë për Ushtrinë e Lirë Siriane, në operacione ushtarake kundër Shtetit Islamik, dhe në pushtimin e Sirisë veriore.

Ndërkohë, Turqia priti kolonelin Riad-Al-Assad, kreun e Ushtrisë së Lirë Siriane, dhe u përfshi në procesin e pafuqishëm të paqes, që ende sot nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje për konfliktin e përgjakshëm sirian.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy