Një thirrje telefonike në mes të presidentit rus, Vladimir Putin dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, për luftën në Ukrainë, ka pak mundësi të ndodhë, por do të ishte e mirëpritur, ka thënë të enjten Kremlini.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, i ka thënë televizionit shtetëror se një bisedë e tillë do t’i mundësonte Berlinit “të paktën për një çast, që t’iu shmangej pengesave që ndikojnë në vlerësimin e situatës me maturi”.
Mirëpo Peskov ka thënë se nuk është duke u diskutuar për një bisedë të tillë.
Ai ka thënë se deklaratat e Scholzit për ndonjë bisedë të mundshme telefonike “me siguri kanë qenë hipotetike”, raporton REL.
“Është normale për liderët që të bisedojnë me njëri-tjetrin, edhe në kohët më të rënda”, ka thënë Peskov, duke shtuar se “nuk do të ishte keq nëse do të realizohej një debat, ashtu që ata të mund të dëgjonin pozicionin tonë nga dora e parë”.
Lidhjet në mes të Berlinit dhe Moskës janë përkeqësuar prej kur Rusia e ka nisur luftën kundër Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar.
Gjermania e mbështet Ukrainën në mbrojtje dhe kërkon tërheqjen e të gjitha trupave ushtarake ruse nga Ukraina fqinje.
Scholz ka deklaruar në fund të majit se dëshiron t’i rikthejë kontaktet me Putinin.
“Biseda e fundit telefonike është realizuar kohë më parë. Mirëpo synoj të bisedoj sërish me Putinin”, ka thënë ai për një gazetë gjermane.
Megjithatë, ai nuk ka specifikuar datën se kur mund të ndodhë diçka e tillë.
Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.