Koreja e Veriut kreu provën e parë me raketa në rreth gjashtë muaj. Analistët thonë se raketat me rreze të gjatë veprimi, mund t’i sigurojnë Phenianit një tjetër mënyrë për t’iu shmangur sistemeve të mbrojtjes nga raketat të fqinjëve të tij.
Mediat shtetërore të Koresë së Veriut njoftuan të hënën se raketat me rreze të gjatë veprimi, të prodhuara rishtazi, fluturuan 1,500 kilometra mbi territorin e Koresë së Veriut, përpara se të godisnin me sukses objektivat e tyre.
Në njoftimet mediatike nuk u bë e ditur se për sa raketa bëhej fjalë, por u tha vetëm se provat u kryen të shtunën dhe të dielën.
Në fotografitë e publikuara nga mediat shtetërore të Koresë së Veriut dukej se një nga raketat ishte lëshuar nga një raketëhedhëse lëvizëse, parkuar në një autostradë.
Sipas disa analistëve ajo dukej e ngjashme me raketat amerikane Tomahawk, me një rreze veprimi prej rreth 1,600 kilometrash, të cilat mund të bartin mbushje bërthamore.
Provat me këtë lloj rakete duket të jetë më pak provokuese sesa provat me raketa balistike me rreze të gjatë veprimi ose ndërkontinentale, të afta për të arritur deri në Shtetet e Bashkuara.
Por lëshimi i tyre po shihet si një test për Presidentin amerikan Joe Biden, i cili ka thënë se është i hapur si për diplomacinë ashtu edhe për trysni ekonomike ndaj Phenianit.
Ushtria amerikane tha se ishte në dijeni të provave dhe se po e mban situatën nën vëzhgim e po këshillohet me aleatët dhe partnerët e saj.
“Këto veprime vënë në pah përqendrimin e vazhdueshëm të Phenianit në zhvillimin e programit të tij ushtarak si dhe kërcënimin që ai paraqet për fqinjët e bashkësinë ndërkombëtare“, thuhej në deklaratën e ushtrisë amerikane.
Në një deklaratë për “Zërin e Amerikës”, ushtria e Koresë së Jugut konfirmoi kryerjen e provave, duke thënë se po zhvillon një “analizë të hollësishme në bashkërendim të ngushtë me agjencitë e zbulimit të këtij vendi si dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Kjo është prova e parë me raketa e Koresë së Veriut që nga muaji mars.
Raketat e testuara në fundjavë janë më të vështira për t’u zbuluar sesa raketat balistike që janë testuar zakonisht nga Koreja e Veriut, pasi ato fluturojnë në një lartësi relativisht të ulët dhe mund të kontrollohen gjatë fluturimit.
“Kjo është një lloj tjetër teknologjie prodhuar për të fluturuar nën radarët e sistemeve të mbrojtjes nga raketat ose rreth tyre“, shkruante në një postim në Twitter, Jeffrey Lewis, ekspert në Institutit për Studimeve Ndërkombëtare në Monterey.