Shtetet Perëndimore janë të shqetësuar për shtimin e tensioneve në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë. Ata shpresojnë se përmes diplomacisë do të qëndrohet larg përballjeve ushtarake.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov thekson se dialogu duhet të vijojë. Polonia nga ana tjetër ofron mbështetje të plotë për fqinjin e saj Ukrainën.
“Perëndimi duhet të kthehet në tryezën e negociatave me Rusinë, edhe nëse kërkesat e Moskës në kufirin me Ukrainën nuk përputhen me perceptimet perëndimore”, ishte kjo thirrja e ministres së Jashtme të Gjermanisë.
“Kam thënë vazhdimisht se sa e rëndësishme është që ne të kthehemi në tryezën e bisedimeve në formatin e Normandisë, të sigurojmë se mund të shmangim një përshkallëzim të mëtejshëm, sepse kjo krizë e madhe në të cilën ndodhemi mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut”, u shpreh më tej Annalena Baerbock, ministre e Jashtme gjermane.
Krerët e shërbimeve diplomatike amerikane dhe evropiane gjatë një bisede telefonike, Antony Blinken dhe Josep Borrell kanë rënë dakord se çdo zgjidhje e mundshme do të duhet të bëhet përmes diplomacisë.
Kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, bën me dije se bisedimet Rusi-SHBA dhe diskutimet Rusi-NATO mbi garancitë e sigurisë të kërkuara nga Moska në kulmin e krizës me Ukrainën priten të zhvillohen në janar.
Tensionet midis Kievit dhe Moskës mund të kenë ndikim në vendet fqinje. Gjatë një vizite në Ukrainë, ministri i jashtëm polak Zbigniew Rau u përpoq të qetësonte fqinjin e saj duke ofruar mbështetje të plotë.