Kina është një nga vendet kufitare me Afganistanin që është shumë e interesuar për këtë vend. Në vitet e fundit, Kina ka arritur të marrë aksesin e shfrytëzimin të afro 80% të burimeve natyrore të vendit që konsiderohen mjaft të mëdha e të pashfrytëzuara.
Përveçse, gazit natyror, naftës, qymyrit apo edhe hekurit, Afganistani konsiderohet si rezerva më e madhe botërore e litiumit, mineralit që shërben për teknologjinë informatike si bateritë e celularëve dhe kompjuterëve personalë.
Radio e Jashtme e Kinës, publikon një raport të gjatë të negociatave që shefi i diplomacisë së Kinës ka zhvilluar me homologun e tij të SHBA, ku i kërkohet Uashingtonit të vijojë të kontribuojë për stabilizimin e Afganistanit dhe rajonit.
Një tjetër interes strategjik që Kina ka me Afganistanin është se në kufi me këtë vend ndodhet krahina autonome e Xingjang ku baojnë ujgurët muslimanë. Kina i frikësohet një radikalizimi të kësaj popullsie që ka lidhje me talibanët. Shqipëria në vitin 2006 pranoi 5 shtetas ujgurë që ishin liruar nga Guantanamo.
Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi bisedime telefonike me sekretarin e Shtetit Antony Blinken për të shkëmbyer mendime rreth situatës në Afganistan, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.
Wang Yi tha se Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë rol konstruktiv për ta ndihmuar Afganistanin të stabilizohet, të parandalojë kaosin dhe të rivendosë paqen.
Kryediplomati i Kinës tha gjithashtu se pala kineze dëshiron që të zhvillojë me palën amerikane bisedime mbi situatën në Afganistan për të shmangur një lufte të re dhe katastrofën humanitare.
Pala kineze shpreson se veprimet terroriste do të ndalojnë dhe populli i Afganistanit do të rindërtojë vendin e vet.
Wang u shpreh se Kina dhe ShBA-ja janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe pjesëmarrëse të rëndësishme në sistemin ndërkombëtar bashkëkohor. Të dyja vendet duhet të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat globale, siç pret edhe bashkësia ndërkombëtare. ShBA-ja duhet të ndalojë trysninë politike dhe kufizimet e pakuptimta ndaj Kinës.
Çelësi i bashkëjetesës paqësore midis dy ekonomive më të mëdha të botës është respektimi i traditave historike dhe kulturore të njëra-tjetrës, i interesave dhe i shqetësimeve kryesore të të njëra-tjetrës, i sistemeve politike dhe rrugëve të zhvillimit të zgjedhura, si edhe i normave themelore të bashkësisë ndërkombëtare, si p. sh. mosndërhyrja në punët e brendshme të të tjerëve dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqesore.
Antony Blinken nga ana e tij u shpreh se ShBA-ja e pranon që e ardhmja e Afganistanit duhet të vendoset nga vetë populli afgan dhe u bëri thirrje talibanëve të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve që dëshirojnë të largohen nga Afganistani.
Ai tha gjithashtu se situata aktuale në Afganistan po hyn në një fazë kritike. Talibanët duhet të bëjnë një ndarje të qartë nga të gjitha forcat terroriste dhe të kthehen në rrjedhën kryesore të politikës afgane. ShBA-ja pret që Kina të luajë rol të rëndësishëm në këtë drejtim
Blinkeni u shpreh se është shumë e rëndësishme që ShBA-ja dhe Kina ruajnë kontakte mbi problemet e mëdha ndërkombëtare e rajonale. Ai e pranoi se arritja e bashkëjetesës paqësore midis ShBA-së dhe Kinës është qëllimi i përbashkët dhe shprehu shpresën se të dyja palët duhet të kërkojnë dhe të zhvillojnë bashkëpunimin.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm për çështjet afgane i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Yue Xiaoyong tha se Kina respekton zgjedhjen e popullit afgan.
Yue Xiaoyong vizitoi të hënën Iranin dhe shkëmbeu mendime mbi zhvillimet në Afganistan me ministrin e Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif.
Yue u shpreh në një intervistë për CGTN-in se Kina respekton sovranitetin, tërësinë territoriale e pavarësinë e Afganistanit dhe respekton dëshirat e zgjedhjen e popullit afgan.
“Populli afgan e bëri një zgjedhje dhe ne e respektojmë zgjedhjen e tij. Shpresojmë se në këtë proces forcat politike afgane, duke përfshirë talibanët, do të zbatojnë premtimet e tyre,” tha Yue.
Ndërkohë, presidenti amerikan Joe Biden mbrojti tërheqjen e ShBA-së nga Afganistani, pavarësisht panikut në Kabul.
“Ne u siguruam atyre të gjitha mundësitë të vendosnin për të ardhmen e vet, por nuk mund t’u japim vullnetin për të luftuar për atë të ardhme, ” u shpreh Biden-i, duke shtuar se pas 20 vjetëve, nuk mund t’u kërkojë më ushtarëve amerikanë që të rrezikojnë jetën e tyre në Afganistan. “Misioni ynë në Afganistan nuk ka qenë kurrë ndërtimi i vendit,” tha ai.(Çang Çuo) TemA