Pekini qëlloi me raketa në ujërat e debatuara në Detin e Kinës së Jugut, duke përshkallëzuar tensionet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, mes sanksioneve amerikane që synojnë ndëshkimin e kompanive që ndihmuan në forcimin e militarizmit të vazhdueshëm të Kinës në rajon.
Një zyrtar amerikan i mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës të enjten se Ushtria Popullore Çlirimtare qëlloi me katër raketa balistike me rreze të mesme nga Kina kontinentale në një zonë të Detit të Kinës së Jugut mes ishullit Hainan dhe ishujve Paracel.
Lëshimi i raketave të mërkurën erdhi mes manovrave të kohëve të fundit të ushtrisë kineze. Stërvitja në fjalë mbylli në mënyrë të njëanshme zona të mëdha të detit të kontestuar nga të tjerët. Vietnami ka protestuar ndaj provave ushtarake.
Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtari tha se manovrat e fundit ushtarake të Kinës flasin gjerësisht se si Ushtria Popullore Çlirimtare i shikon zonat e mbrojtura si të lira për rrugë tregtare nën ligjin ndërkombëtar.
Kapiteni i marinës, John Gay, zëdhënës i Flotës së Paqësorit, tha se Shtetet e Bashkuara aktualisht kanë 38 anije në rajonin e Indo-Paqësorit dhe do të vazhdojnë të monitorojnë aktivitetet, përfshi manovrat e fundit ushtarake të Kinës.
Lidhur me këtë, Pentagoni lëshoi një dekleratë të enjten e cila thoshte se veprimet e Kinës “bien në kontrast me premtimet e saj për të mos militarizuar Detin e Kinës së Jugut dhe janë në kontrast me vizionine Shteteve të Bashkuara për një rajon të lirë dhe të hapur të Indo-Paqësorit, në të cilin të gjitha vendet, të vogla apo të mëdha, janë të sigurta në sovranitetin e tyre, të lira nga shtrëngimi, dhe në gjendje të ndjekin rritjen ekonomike në përputhje me normat dhe rregullat e pranuara ndërkombëtare.”
“Republika Popullore e Kinës zgjodhi të përshkallëzojë aktivitetet e saj të manovrave ushtarake duke qëlluar me raketa balistike. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të mos ndërmarrin veprime ushtarake që mund të kërcënojnë lirinë e lundrimit dhe të përkeqësojnë mosmarrëveshjet në Detin e Kinës së Jugut”, thuhet në deklaratën e Pentagonit./ Burimi: VOA
The post Kina qëllon me katër raketa një rajon në Detin e Kinës së Jugut appeared first on Vizion Plus.