Nga Hal Brands “American Enterprise Institute”
Ka ardhur koha e bumit të analogjive historike, sa i përket politikës së Amerikës përkundrejt Kinës. Testimi nga Pekini i një arme supersonike orbitale është krahasuar me “momentin Sputnik” nga kreu i Shefave të Përbashkët të Ushtrisë Amerikane, Mark Millej.
Analistët, ku përfshihem edhe unë, kanë debatuar nëse SHBA dhe Kina, janë apo jo në një “Luftë të re të Ftohtë”, dhe çfarë leksionesh mund të mësojë Amerika nga e lufta e vjetër. Megjithatë Kina po lëviz në drejtimin e kundërt. Ajo nuk ka mësuar disa nga leksionet më të rëndësishme që ka nxjerrë nga konflikti i dikurshëm SHBA-Bashkimi Sovjetik.
Në këtë mënyrë, Pekini po e teston veten nëse mund të përparojë ende në aspektin strategjik, edhe pasi lë mënjanë njohuritë, që dikur i shërbyen për mirë. Partia Komuniste Kineze e merr shumë seriozisht historinë. Studimet e sponsorizuara nga shteti komunist, kanë shqyrtuar ngritjen dhe rënien e fuqive të mëdha, dhe mbi të gjitha shkaqet e shembjes së Bashkimit Sovjetik.
Pekini mësoi nga ajo ngjarje – si dhe nga ngjarjet tragjike në Sheshin Tiananmen në vitin 1989 -që të mos lejojë kurrë përçarje brenda partisë, të forcojë besnikërinë ideologjike, dhe të jetë shumë vigjilente ndaj zërave kundër, përpara se situata të dalë jashtë kontrollit.
Arsyeja pse u shpërbë Bashkimi Sovjetik, deklaroi presidenti Xi Jinping në vitin 2013, ishte se “askush nuk ishte aq burrë sa të ngrihej dhe t’i rezistonte” prirjes vdekjeprurëse drejt demokracisë. Xi e merr ende seriozisht këtë leksion. Por ndërkohë, ka disa mësime të tjera të Luftës së Ftohtë, që ai duket i vendosur që t’i harrojë.
E para ishte që të mos i vinte ndonjëherë shkopinj nën rrota SHBA-së. Studiuesi i njohur i Kinës, Rush Doshi, përshkruan se si Partia Komuniste e identifikoi një Amerikë ushtarakisht të shquar dhe ideologjikisht në rritje, si rivalen e saj kryesore që në vitin 1989.
E megjithatë, pikërisht për shkak se fuqia e SHBA-së ishte kaq e frikshme, Pekini synoi që ta shmangte këtë lloj armiqësie së fokusuar ndaj amerikanëve, që sapo kishin rrënuar ambiciet e sovjetikëve.
Strategjia e liderit të Partisë Komuniste,Ten Hsiaopin, 40 vjet më parë ishte të përqendrohej në kultivimin e marrëdhënieve të mira me SHBA-në dhe shtetet e tjera kyçe, si një mënyrë për të blerë kohë, për të fituar qasje në tregtinë globale dhe teknologjinë e përparuar, si dhe për të grumbulluar forcën, e cila do t’i jepte mundësi Pekini të kishte zërin e tij mbi çështjet globale.
Kur Kina të arrijë “nivelin e vendeve të zhvilluara, forca dhe roli i saj në botë do të jenë krejtësisht të ndryshme” tha Ten. Leksioni i dytë, kishte të bënte me shmangien e një gare armatimi të stilit të Luftës së Ftohtë.
Ajo konkurrencë mbi armët strategjike, e rraskapiti në fund Bashkimin Sovjetik,duke i dhënë përparësi avantazheve ekonomike të Amerikës. Prandaj Pekini mbajti për shumë vite një sasi armësh bërthamor relativisht minimale, dhe i fokusoi shpenzimet e tij në fusha me avantazhe krahasuese, siç janë aftësitë konvencionale, të krijuara për t’i dhënë Kinës një avantazh përgjatë periferisë së saj.
Të dyja leksionet janë hedhur sot poshtë. Retorika dhe politika kineze, kanë një jehonë të dukshme të Luftës së Ftohtë. Xi argumenton se “Lindja po ngrihet”, dhe se Perëndimi është në rënie. Ai ka bërë thirrje për një “Marshim të ri të Gjatë” – një jehonë e luftës së viteve 1930 të komunistëve kinezë për mbijetesë – kundër Amerikës armiqësore.
Zyrtarët e Partisë Komuniste Kineze, po bëjnë kërcënime ushtarake kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj; diplomatët e saj po i denoncojnë publikisht zyrtarët amerikanë, me tone që të kujtojnë përplasjet retorike të pas Luftës së Ftohtë.
Kina është në garë për t’u bërë e vetë-mjaftueshmen në aspektin e teknologjisë, në pritje që bota të ndahet sërish në zona ndikimi; dhe po nxjerr anijet në det me një ritëm të padëgjuar më parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Quajeni si të doni, por e sigurt është që Kina nuk po i shmanget më armiqësisë ndaj SHBA-së
Edhe gara e armatimeve po vazhdon. Bazat e reja të lëshimit të raketave bërthamore kineze, po shfaqen në gjithë territorin e Kinës. Ndërkohë Pekini po ecën përpara me armët e reja hipersonike. Kina mund të jetë tashmë shumë pranë arritjes së arsenalit bërthamor të SHBA-së deri në mesin e viteve 2030.
Po pse Kina po bën disa gjëra, të cilat më parë i konsideronte të rrezikshme? Ka disa arsye specifike. Shtimi i arsenalit bërthamor të Kinës, synon të sigurojë që SHBA të mos t’i shpëtojë cenueshmërisë reciproke, e cila deri më sot i ka garantuar një epërsi strategjike mbi Pekinin.
Kjo do t’i mohojë Uashingtonit opsionin (që gjithsesi nuk ka shumë të ngjarë) të përdorimit të armëve bërthamore në një luftë mbi Tajvanin, dhe do ta bëjë vendimtar ekuilibrin e forcave konvencionale, të cilat favorizojnë gjithnjë e më shumë Pekinin.
Shtysa më e madhe në këtë kurs, duket të jetë një përzierje e paqëndrueshme e optimizmit dhe fatalizmit. Kina është ngritur, pohon Xi, deri në atë pikë sa që nuk ka pse t’i frikësohet më SHBA-së. Ajo mund të shfrytëzojë aftësitë, ekonomike dhe ushtarake që ka zhvilluar dekadat e fundit, për t’i detyruar shtetet e tjera të respektojnë interesat e saj.
Njëkohësisht, udhëheqësit kinezë duket se besojnë se armiqësia e SHBA-së, që po vazhdon prej 2 presidencash, është në thelb e mbyllur, kështu që nuk ka më kuptim që të reduktohen provokimet. Por kjo qasje mund të jetë e gabuar. Retorika e Xi mbi vetë-mjaftueshmërinë, shpërfill varësitë e mëdha të Kinës në raport me teknologji të tilla si gjysmëpërçuesit e avancuar.
Pekini mbetet i pambrojtur ndaj një rrethimit strategjik të ngjashëm me atë që e ndëshkoi dikur Moskën:sjellja e tij po shkakton kundër-reagimin e vendeve të tjera, nga Japonia dhe Australia tek India dhe Britania e Madhe, por edhe të shteteve më të vogla, në Azi dhe gjetkë, të cilat shpreson t’i bëjë pjesë të sferës së saj të ndikimit ekonomik.
Po ashtu lëvizjet e Kinës kanë potencialin të forcojnë politikat e SHBA-së:testet hipersonike të Pekinit dhe ndërtimi i strategjisë së ngritjes, vetëm sa do t’ia bëjë më të vështirë presidentin amerikan Xho Bajden të mbajë premtimin e tij për të reduktuar mbështetjen e Amerikës tek armët bërthamore.
Ishte me gjasë e pashmangshme që Kina të braktiste përfundimisht leksionet e vjetra: Mësimet që drejtojnë fuqitë më të dobëta, duken shpesh të patolerueshme për ato që janë më të forta. Por duke harruar atë që dinte dikur mbi Luftën e Ftohtë, Kina mund të zhytet në telashe serioze./CNA.al