Një gjykatë kineze ka dënuar biznesmenin kanadez, Michael Spavor me 11 vjet burgim për spiunim.
Ky rast është parë si pjesë e mosmarrëveshjeve më të zgjeruara të Kinës me Kanadanë, për shkak të fatit të Meng Wanzhou, shefes financiare të kompanisë kineze, Huawei, e cila aktualisht është duke luftuar ekstradimin nga Kanadaja në Shtetet e Bashkuara.
Spavor është arrestuar në dhjetor të vitit 2018, në periudhën e njëjtë kur kanadezi tjetër, Michael Kovrig, ka qenë në mbajtje për supozime të ngjashme për spiunim.
Kanadezët janë ndaluar disa ditë pasi Meng, vajza e themeluesit të Huaweit, Ren Zhengfei, është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vankuverit për akuzat amerikane të lidhura me moszbatim të sanksioneve amerikane ndaj Iranit.
Vendimi për ekstradimin e saj pritet të merret shpejt.
Në procesin kundër Spavor, gjykata kineze ka thënë se biznesmeni do të dëbohet.
Ambasada e Kanadasë në Kinë ka thënë se është kuptuar që dëbimi do të ndodhë pas kryerjes së dënimit me burg.
“Ne dënojmë këtë vendim”, ka thënë ambasadori i Kanadasë në Kinë, Dominic Barton, para gazetarëve jashtë gjykatës.
“Ekziston mundësia e apelit. Për këtë do të flasë Spavor me avokatët e tij”.
Ambasadori ka thënë se Spavor dhe Kovrig janë duke u mbajtur në mënyrë arbitrare.
Edhe Kovrig pritet të kuptojë shumë shpejt vendimin ndaj tij.
Ai është ish-diplomat kanadez, që në kohën e arrestimit ka qenë këshilltar i lartë për Grupin Ndërkombëtar të Krizave, organizatë për parandalim të konflikteve./rel