Grupi shiit i Libanit Hezbollah tha sot se kishte vendosur “pajisje shpërthyese” ndërsa ushtarët izraelitë kaluan kufirin me Libanin.
Izraeli tha se katër ushtarë të tij u plagosën pranë kufirit me Libanin nga një shpërthim me origjinë të panjohur.
Është hera e parë që Hezbollahu, i cili ka shkëmbyer zjarr me Izraelin që nga shpërthimi i luftës në Gaza më shumë se gjashtë muaj më parë, ka shpallur një operacion të tillë.
Luftëtarët e Hezbollahut “vendosën pajisje shpërthyese në zonën Tal Ismail, afër kufirit izraelit, të cilat shpërthyen pasi ushtarët izraelitë kaluan kufirin”, tha Hezbollah në një deklaratë.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite njoftoi se 4 nga ushtarët e saj “të cilët ndodheshin në një zonë në kufirin verior” u plagosën gjatë natës, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, “pas një shpërthimi me origjinë të panjohur”.
Të tjerët kanë lëndime të lehta, tha ai.
Ushtria izraelite nuk ka konfirmuar që ushtarët e saj kaluan kufirin për në Liban.
E pyetur nga AFP , ushtria izraelite refuzoi të jepte detaje, duke u kufizuar në deklarimin se “një hetim është duke u zhvilluar”./vizionplus.tv