Ushtarët nga “Fort Bragg” në Karolinën e Veriut dhe “Fort Drum” në Nju Jork janë urdhëruar që të bëhen gati për dislokim brenda katër orësh nëse u kërkohet, sipas tre pesonave me dijeni të drejtpërdrejë të urdhërave.
Ushtarëve në “Fort Carson” në Kolorado dhe “Fort Riley” në Kansas u është thënë të jenë gati brenda 24 orësh. Persona me dijeni të drejtpërdrejtë nuk deshën që të përdoren emrat e tyre sepse nuk ishin të autorizuar që të flisnin mbi përgatitjet.
Urdhërat për gatishmëri u dërguan me gojë të premten, kur Presidenti Donald Trump i kërkoi Sekretarit të Mbrojtjes Mark Esper alternativa ushtarake për të ndihmuar në shuarjen e trazirave në Mineapolis, pasi protestat u shndërruan në plaçkitje dhe zjarrëvënie në disa pjesë të qytetit.
Presidenti Trump e bëri kërkesën përmes një telefonate nga Shtëpia e Bardhë mbrëmjen e së enjtes në të cilën ishin përfshirë zoti Esper, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien dhe disa zyrtarë të tjerë. Presidenti e pyeti zotin Esper mbi alternativat për dislokim të shpejtë nëse protestat në Mineapolis dalin jashtë kontrollit, sipas një zyrtari të lartë të Pentagonit, i cili mori pjesë në telefonatë.
“Kur Shtëpia e Bardhë kërkon alternativa, dikush hap sirtarin dhe i nxjerr ato”, tha zyrtari.
Personi në fjalë tha se njësitë ushtarake do të vendoseshin në bazë të “Aktit për Rebelimin 1807”, i cili u përdor për herë të fundit në vitin 1992 gjatë trazirave në Los Anxheles që pasuan gjykimin e Rodney King-ut.
“Nëse presidenti do ta përdorë këtë ligj, kjo do të nënkuptonte një përshkallëzim domethënës dhe pohimin se disa autoritete lokale dhe shtetërore nuk janë në gjendje të bëjnë detyrën për të reaguar ndaj trazirave”, tha Brad Moss, një avokat në Uashington i specializuar për çështjet e sigurisë kombëtare.
Pjestarët e njësive policore ishin në gatishmëri mbi mundësinë e thirrjes së tyre në bazat ushtarake, dhe kishin një afat prej 30 minutash që të raportonin në detyrë.Nëse do të jepet urdhër ata do të kishin një afat kohor prej katë orëshpër t’u përgatitur dhe vendosur në Mineapolis.
Njësitë në “Fort Drum” janë planifikuar të shkojnë së pari në Mineapolis, sipas të dhënave nga tre individë, përfshi dy zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes. Rreth 800 ushtarë do të vëndosen në qytet nëse u kërkohet.
Protestat shpërthyen në Mineapolis këtë javë pas daljes së një videoje që tregonte një punonjës të policisë i cili kishte vënë gjurin në qafën e zotit Floyd. Floyd vdiq më vonë ndërsa polici Derek Chauvin u arrestua të premten dhe ndaj tij u ngrit akuza për vrasje të shkallë së tretë.
Protestat u bënë të dhunshme ndërsa turmat dogjën të enjten një rajon policie në Mineapolis, pranë vendit ku ishte ndaluar zoti Floyd. Kryebashkiaku Jacob Frey dha urdhër që njerëzit të mos dalin jashtë pas orës tetë të mbrëmjes duke filluar nga e premtja.
Në qytet, protestat paqësore morën vrull me rënien e errësirës, ndërsa mijëra njerëz nuk përfillën vendosjen e ndalim qarkullimit. Disa makina u dogjën në disa lagje të qytetit, ndërsa filloi plaçkitja e bizneseve dhe pati zjarre të mëdha.
Ndërkohë trazirat janë përhapur në shumë qytete amerikane. Protestat, me disa raste dhune, janë përhapur në kryeqytetin amerikan Uashington, Atlanta, Fenix, Denver dhe Los Anxheles.
Guvernatori i Minesotës urdhëroi vendosjen e 500 trupave të Gardës Kombëtare në qytetet Mineapolis, Shën Paul (St. Paul) dhe komunitetet përreth. Por një zëdhënës i Pentagonit tha se zoti Walz nuk i kishte kërkuar ushtrisë që të dislokohej në shtetin e tij.
“Departamenti ka qënë në kontakt me guvernatorin dhe nuk ka asnjë kërkesë për forca në bazë të “Nenit 10” për të mbështetur Gardën Kombëtare të Minesotës apo organet e rendit të atij shteti”, tha zëdhënësi duke shtuar se “Neni 10” është ligj për forcat e armatosura që autorizon ushtrinë për të vepruar brenda territorit amerikan”.
Alyssa Farah, drejtore e komunkimeve strategjike në Shtëpinë e Bardhë tha se dislokimi i policisë ushtarake ishte i pavërtetë.
“Fallco: pa më cituar në media – neni 10 nuk është duke u diskutuar”,shkroi zonja Farah në një përgjigje me email. Asnjë marrëveshje për mos citim në media nuk është negociuar me Associated Press. Brigada 16 e Policisë Ushtarake i përcolli Pentagonit pyetjet që i kishte dërguar agjencia e lajmeve Associated Press./VOA