Fjala japoneze “kamikaz”, do të thotë “erë hyjnore”. Ajo i referohet stuhisë që e shpëtoi dikur Japoninë nga flota e madhe mongole e Kublai Khan. Dhe ishte po ky emër që iu vendos pilotëve të Forcave Speciale të Sulmit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Forca, e njohur në japonisht si “Tokkotai”, kreu sulme vetëvrasëse ndaj flotës amerikane duke përplasur avionët e tyre të mbushur me eksploziv mbi anijet amerikane. Jeta e një piloti kamikaz ishte sa e vështirë aq edhe e shkurtër. Ata të rinj ishin rekrutuar në ushtri për të kryer sakrificën e fundit në emër të perandorit të tyre.
Grupi u drejtua nga nënadmirali TakijiroOnishi. Sipas vlerësimeve të SHBA-së, gati 2.800 pilotë kamikaz vdiqën gjatë luftës. Ata arritën të godisnin objektivat e tyre në rreth 14 për qind të rasteve, duke fundosur 34 anije të Marinës Amerikane dhe duke dëmtuar 368 të tjera.
Ndërkohë kamikazët japonezë vranë rreth 4.900 marinarë dhe plagosën 4.800 të tjerë. Por këto fakte mbi pilotët kamikaz janë vetëm një pjesë e historisë. Historia e vërtetë është se si ishte të shërbeje si një ushtar që ishe i urdhëruar të vdisje për vendin tënd.
Thuhej se të gjithë pilotët kamikaz ishin vullnetarë, por kjo nuk ishte e vërtetë
Ndërsa disa pilotë kamikaz dolën vullnetarë dhe ishin plot entuziazëm, kjo nuk ishte e vërtetë për të gjithë. Pilotëve që do të caktoheshin potencialisht si kamikaz, iu jepej një copë letër që kishte tri opsione; vullnetar me dëshirë, thjesht vullnetar, apo thjesht jo vullnetar.
Meqenëse letrat përmbanin edhe emrat e pilotëve, këta të fundit shumë rrallë refuzonin. Presioni për të qenë një “kamikaz vullnetar” ishte shumë i madh. Ligji ushtarak japonez i kohës e inkurajonte në çdo rast vdekjen para dorëzimit tek armiku. Dhe në fakt nuk ishin vetëm kamikazët ata që e zbatuan atë.
Ndërkohë, ushtarët japonezë do të përfshiheshin në akte vetëvrasjeje në stilin banzai kur përballeshin me një humbje të caktuar. Madje edhe civilët japonezë, zgjodhën vetëvrasjen mbi kapjen rob, siç ishin mijëra njerëz që u hodhën nga shkëmbinjtë e Saipanit.
Përveç këtij presioni, shpeshherë eprorët do t`i pyesnin ushtarët potencial për kamikaz se kush nuk donte që të dilte vullnetar. Është shumë më e vështirë të jesh i vetmi djalë që nuk dëshiron të sakrifikojë veten, sidomos kur kjo zgjedhje me shumë gjasa do ta bënte jetën shumë të pakëndshme.
Ekziston të paktën një dëshmi e një ushtari, i cili zgjodhi më pas qëtë tërhiqej nga regjistrimi si kamikaz. Emiko Ohnuki-Tierney shkroi ndër të tjera në librin e tij “Ditarët e një kamikazi”:Kuroda Kenjiro vendosi që të mos dilte vullnetar.
Por ai u befasua kur e pa emrin e tij në listën e vullnetarëve për trupat Tokkotai të Marinës Ushtarake. Eprori i tij kishte raportuar me krenari, se të gjithë anëtarët e korpusit të tij ishin kamikaz vullnetarë”.
Kapral Jukio Araki ishte vetëm 17 vjeç, kur si anëtar i Skuadronit të 72-të Shinbu, fluturoi
në një mision kamikaz në Betejën e Okinavës. Ai besohet se ka goditur luftanijen amerikane “USS Braine”, duke marrë me vete në botën tjetër edhe 66 anëtarë të ekuipazhit amerikan.
Ushtarëve japonezë u mësohej se si të vrisnin veten që të mos kapeshin robër
Një nga gjërat e para që u mësohej të gjithë rekrutëve në ushtri, dhe jo vetëm pilotëve kamikaz, ishte se si të vrisnin veten me armën e tyre. Ata mësoheshin se si të tërhiqnin këmbëzën me gishtin e tyre ndërsa e drejtonin tytën e armës në një pikë të caktuar nën mjekër, në mënyrë që plumbi të shkaktonte vdekjen e menjëhershme. Nëse ushtari dredhonte dhe përpiqej të arratisej, shokët e tij të njësisë udhëzoheshin që ta qëllonin nga pas. Urdhri i vdekjes para kapjes rob ishte shumë i prerë.
LEXO EDHE: Amerikanët dynden në plazhe/ Thyejnë rregullat e karantinës
Pilotët shkruanin një letër që do t`u dërgohej prindërve të tyre pas përfundimit të misionit
Një nga aktet e fundit të një piloti kamikaz, ishte të shkruante një letër për prindërit e tij, e cila do të lexohej pas përfundimit të misionit të tij. Kijoshi Ogava,ishte një pilot letra e lamtumirës të secilit ka mbijetuar deri në ditët tona. Në të ai shprehej:
Baba dhe nënë!
Ata kanë vendosur që edhe unë të jem një anëtar krenar i Trupave të Sulmeve Speciale. Duke kthyer kokën pas në kohë, kur mendoj se më rritët në krahët tuaj për më shumë se 20 vjet, jam i mbushur me një ndjenjë mirënjohjeje ndaj jush. Unë besoj vërtet se askush tjetër nuk ka jetuar një jetë më të lumtur se unë, dhe unë jam i vendosur t’ia shpërblej Perandorit dhe babait tim për mirësinë që kanë treguar.
Përtej atyre reve të bardha të pakufishme, unë do ta kryej i qetë sulmin tim. Në mendje nuk do të më vijnë as mendime mbi jetën dhe as për vdekjen. Njeriu njëherë vdes. Do të jetë një ditë e nderuar për të jetuar për kauzën e përjetshme.
Baba dhe nënë, ju lutem të jini të lumtur për mua!
Mbi të gjitha ti nënë, të lutem kujdesu për shëndetin tënd dhe unë ju uroj të gjithëve shëndet. Ndërsa do të jetoj përgjithmonë në Faltoren Jasukuni, unë do të jem gjithnjë pranë jush, dhe do të lutem për lumturinë tuaj. Unë do të buzëqesh, si në ditën që u zgjodha si kamikaz”.
Ogava ishte piloti i aeroplanit të dytë që goditi “USS Bunker Hill”. Sulmi kamikaz vrau 393 marinarë, plagosi 264 të tjerë dhe e nxori aeroplanmbajtësin jashtë funksionit përgjatë gjithë kohës që zgjati lufta.
Ndëshkimi trupor ishte i shumë përhapur në ushtrinë japoneze
Një pilot kamikaz i quajtur Irokava shkroi në ditarin e tij:“Pasi kalova portën për në Bazën Ajrore Detare Tsushiura, “stërvitja”nisi të kryhej ditë pas dite. Ata më godisnin aq fort në fytyrë, saqë shpesh fytyra ime nuk ishte më e dallueshme. Më 2 janar 1945, Kaneko më goditi 20 herë në fytyrë dhe pjesa e brendshme e gojës u ça në shumë vende nga dhëmbët.
Mezi prisja të haja zoni (një pjatë e veçantë me ëmbëlsira orizi për Vitin e Ri). Në fakt po gëlltisja gjakun që rridhte çurg nga brenda gojës.
Më 14 shkurt, të gjithë u ndëshkuam pasi eprorët dyshuan se hanim fshehurazi në shtëpitë e fermerëve pranë bazës ushtarake për të na lehtësuar sadopak urinë që kishim. Në mesin e të ftohtit të dimrit, na detyruan të qëndrojmë ulur për 7 orë në një dysheme betoni të ftohtë, teksa ata na godisnin vitheve me një shkop.
Pastaj secili nga ne u thirr në zyrën e oficerit. Kur erdhi radha ime, sapo hyra në dhomë, ai më goditi aq fort sa që nuk munda ta shihja më dhe u rrëzova përtokë në dysheme. Sapo arrita të ngrihesha, u godita sërish me shkop në mënyrë që të rrëfeja.
Një shoku im u përplas me kokë në dysheme, humbi ndjenjat dhe u dërgua në spital. Ai nuk u kthye më. E gjithë kjo egërsi u orkestrua nga komandanti i korpusit Tsutsui. Unë jam ende në kërkim të shokut tim”./CNA.al