Administratori i klubit Flamurtari Sinan Idrizi përsëriti sërish se ka dështuar me administrimin e klubit vlonjat.
Në një lidhje direkte me emisionin “Proçesi Sportiv” në “Top Channel”, Idrizi ironizoi anëtarin e Komitetit Ekzekutiv Enkelejd Alibeaj duke e quajtur një “apandesit të tepërt” në strukturat drejtuese të FSHF-së.
Për sa i përket borxheve të klubit të Flamurtarit, ai i bëri thirrje ish-kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika që të zhbllokojë llogarinë e klubit.
Për rastin e bojkotit 3-ditor të lojtarëve për Vllaznisë për çështjen e pagave, administratori i Flamurtarit i konsideroi të tepërta “grevat” e lojtarëve të skuadrës shkodrane.
Ai theksoi se do të marrë përsipër shlyerjen e borxheve të Flamurtarit dhe pas përfundimit të kontratës me Bashkinë e Vlorës në 31 korrik do të paraqesë ofertë pas të tjerëve.
” Futbolli shqiptar – Futboll si ekonomi në Shqipëri nuk ka. Ka disa fusha futbolli, disa djem që vrapojnë. Kaq. Nuk jam nihilist dhe nuk fshi mundimin e askujt. Futboll si motorr të ekonomisë nuk ka, ky është mendimi im.
Mbledhja e Asamblesë së Zakonshme të FSHF-së – Personalisht kam votur për 4 çështje kundër në Asamblenë e fundit. Është një zotëri që është futur nga politika në Asamble. E kam fjalën për zotin Alibeaj, është një apandesit i tepërt. Është futur për qokë. Kam votuar kundër, nuk kam pyetur askënd. Nuk dua të bëj opozitarin.
Flamurtari – Nuk di çfarë di të them. Jam një dështak, e kam pranuar dështimin tim, por kam kërkuar të provoj veten time në kushtet e një administrimi tjetër. Flamurtari nuk administrohet nga një biznesmen, por nga një defiçent i vetëdijshëm që e ka kthyer veten në një bankomat të prishur.
E ardhmja – Mbaron në 31 korrik. Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Kam marrë përsipër të zerojë borxhet Flamurtarit. I bëj thirrje Gjikës të shlyejë ato dy kompani që ka bllokuar me llogarinë e Flamurtarit. Flamurtari ka një sërë borxher, dua që në 31 korrik ti lërë atij tjetër një listë borxhesh dhe ti bëhen barrë.
Kryeministri Rama – Me Ramën kemi folur për projektin ‘Vlora Sport’ I kam kërkuar vetëm ligjin e sportit. Kërkoj të investoj te fushat e mia. Për pjesën tjetër, jo. Jam administrator, jo president dhe kam 0% aksione dhe 100% investime. Është dështimi im.
Kampionati – Kjo e bojkotit është histori klasike e futbollit shqiptar. Ky kampionat është sa për shfaqje. Lojtarët e Vllaznisë nuk kanë nevojë të bëhen grevistë. Ti drejtohen Sindikatës dhe jo të bëjnë greva. Të gjitha klubet kanë probleme financiare. Do të jetë akoma më keq pas kësaj pandemie. Do të shikoni se çfarë do të ndodhë me buxhetet e klubeve tona.
Fati – Në datën 31 korrik. Nuk do të japë asnjë ofertë. Do të zerojë borxhet dhe le të bëjnë oferta ata zotërinj që janë çjerrë gjatë gjithë kësaj kohe. Oferta ime do të jetë e fundit. Do të pres të tjerët”, përfundoi administratori i Flamurtarit Sinan Idrizi.