Nga Paolo Valentino
Dhe pikërisht tek vlera e heshtjes dhe e maturisë, qëndron ndoshta një nga trashëgimitë më domethënëse të Republikës Demokratike Gjermane (Gjermania Lindore) mbi personalitetin, stilin politik dhe artin e qeverisjes së Angela Merkel, të cilën shumë analistë e përkufizojnë si stoik.
Një nga librat e saj të preferuar titullohet “Koleksioni i heshtjeve i Doktor Murke”, një novelë nga shkrimtari i njohur gjerman Hajnrih Bël, në të cilin protagonisti, një redaktor i ri i sektorit të kulturës në një radio, shkel me ironi detyrën abuzive të marrë nga drejtori i tij, duke krijuar një koleksion heshtjesh.
Heshtja si një formë komunikimi. “Sigurisht, fëmijëria dhe jeta ime deri në moshën35-vjeçare në Republikën Demokratike Gjermane, patën një ndikim të caktuar. Të flasësh për gjëra të caktuara dhe në situata të caktuara. përbënte një rrezik vdekjeprurës, ose më së paku mund të ndryshonte jetën tënde”- deklaroi Merkel në një intervistë për gjermanen “Die Zeit”.
Zhan-David Levit, këshilltari diplomatik i ish-presidentit francez Nikolas Sarkozi, e pyeti në një rast për të kaluarën e saj në RDGJ, duke iu referuar filmit fitues të çmimit Oskar me regji të Florian Henkel von Donersmark “Jeta e të tjerëve”.A ishte jeta e përditshme siç e përshkruan filmi?
“Jo”, u përgjigj Merkel, “Ishte shumë më keq. Unë nuk kam njohur asnjë agjent të STASI-it aq të mirë sa të mund ta simpatizoja, siç paraqitet në atë film”. Por nuk është se Merkel e dëshiron heshtjen mbi gjithçka tjetër. Përkundrazi. Ajo flet me shumë dëshirë.
E ka bërë këtë që kur ishte fëmijë. Ka qenë po Merkel që tregoi se kur aplikoi për postin e një ndihmës profesori në Universitetin e Ilmenaut, STASI u përpoq që ta rekrutojë si Im, Inoffizieller Mitarbeiter, një bashkëpunëtore jozyrtare. Por e këshilluar nga prindërit e saj, ajo tha gjatë intervistës se ishte e papërshtatshme për këtë detyrë pasi nuk dinte si ta mbante gojën mbyllur.
Pasi dëgjuan këto fjalë, agjentët u tërhoqën. Merkel dominon gjithnjë gjatë debateve. Ndonjëherë ajo flet për të mashtruar lodhjen, siç e pranon edhe vetë. Por gjithashtu di ta përdorë edhe heshtjen si një armë vdekjeprurëse ose mbrojtëse.
Ne e pamë këtë në mbrëmjen e famshme Elefantenrunde, kur pa thënë asgjë, e detyroi Gerhard Shrëderin t’i bënte gropën vetes. Për të, heshtja do të thotë shumë gjëra:pauzë, reflektim, përgatitje, besim, distancë, provokim, afirmim i fuqisë, refuzim.
Të heshtësh në kohën e duhur është tejet thelbësore.“Unë duhet t’i kuptoj gjërat para se të vendos. Jam përpjekur gjithnjë të shmang përmbysjen e plotë të vendimeve të mia politike.
U detyrova ta bëjë këtë në rastin e energjisë atomike.
Por në rastin e krizës në Greqi dhe eurozonë, nuk e dija që nga dita e parë se çfarë duhej të bëja. Kur rritet presioni, atëherë më duhet të them diçka, por nuk flas asnjëherë para se sa të jem e sigurt se një vendim është i qëndrueshëm edhe pas 3 ditësh. Në këto 35 vjet e kam parë se opinioni zyrtar rreth meje ishte i ndryshëm nga imi. Unë isha e vetme, ose me disa të tjerë”.
Të presësh momentin e duhur para se të thuash diçka. Por kur të vijë koha, të flasësh pa lënë vend për keqkuptime. Edhe ky është një mësim i mësuar në RDGJ, një shkollë shumë e rreptë e jetës.
Sigmar Gabriel, që ka qenë zëvendës/kancelar nga radhët e socialdemokratëve dhe disa herë ministër i kabineteve të saj, e pyeti në një rast se çfarë lloj gjurme kishte lënë Gjermania Lindore tek ajo:“Kur kishe të bëje me STASI-in, duhet të flisje qartë, nuk kishte vend për interpretime. Nëse flisje në mënyrë të paqartë, përfundoje në duart e tyre dhe ata mund të të bënin gjithçka. Ndaj duhet të ishe absolutisht e qartë dhe e vendosur në ato që thoshe”.
Paralelisht me heshtjen, por ndoshta më e rëndësishmja në RDGJ ishte konfidencialiteti, të cilin Angela Merkel e shndërroi në një virtyt gjatë qëndrimit të saj të gjatë në pushtet.
Ata që bashkëpunojnë me të duhet të jenë shumë të matur.
Çdokush që mburrej se mbante kontakte të ngushta apo këshillonte Merkelin, përjashtohej shumë shpejt. “Themeli i çdo bashkëpunimi të bazuar tek besimi, është që ne mund t’i themi gjërat me shumë sinqeritet, por me kushtin që kjo të mos shfrytëzohet, dhe që detajet të mos zbulohen përtej rrethit të pjesëmarrësve”- theksoi në një rast ajo.
Ky parim në përgjithësi është respektuar. Për shembull askush nuk e di përmbajtjen dhe datat e takimeve të shpeshta që ka pasur kancelarja me drejtuesit e opozitës, të Gjelbrit dhe Liberalët. Dhe ajo ka besim:“Kur situata bëhet shumë serioze, unë kam besim të plotë tek klasa politike gjermane”.
Thuhet se ofertës së Helmut Kolit në vitin 1994 për t’u bërë Ministre e Mjedisit, ajo iu përgjigj menjëherë me po, por pa i thënë asgjë askujt. Por pas dy javësh, kancelari e pyeti nëse kishte ende të njëjtin mendim, meqë mediat përmendën emra të ndryshëm, por jo të sajin.
Pra aq shumë kishte qenë e rezervuar mbi këtë çështje. Miqësitë e saj private mbeten të fshehta, shumë të pakta në numër dhe të zgjedhura. Askush në rrethin e vogël të aktorëve, muzikantëve dhe regjisorëve që Merkel fton në apartamentin e saj apo në vilën e vogël në fshatin Ukermark, nuk flet ndonjëherë publikisht për këto takime.
Merkel ka ose ka pasur disa probleme me disa liderë të huaj: ish-presidenti francez Nikolas Sarkozi, që do gjithnjë të bjerë në sy, nuk ka qenë asnjëherë shumë i matur. Të jetuarit dhe të formuarit si personalitet në Republikën Demokratike Gjermane i dha Angela Merkel përparësi të tjera, si për shembull vetë-disiplina dhe vullneti.
Nën diktaturën komuniste gjithçka ishte një çështje mbijetese: ata që donin të ishin të suksesshëm, duhej të ishin të kujdesshëm që të mos bënin as gabimin më të vogël. Po ashtu një nga aftësitë e nevojshme ishte të dije të shpreheshe në një gjuhë të koduar, në të cilën mund të fshihej ironia apo edhe kritika.
Mjaftonte edhe vetëm një fjali për ta kuptuar njëri-tjetrin. Pa qenë Geheimsprache, një gjuhë e fshehtë, ajo është gjithsesi diçka që shfaqet ende ndonjëherë në komunikimin e kancelares. Për shembull, në qeverinë aktuale gjermane ka momente ironie me Franciska Gifei, ish-ministre e Familjes dhe Grave nga radhët e socialdemokratëve, që është gjithashtu nga Berlini Lindor. “Mjafton vetëm një fjalë dhe ne të dyja nisim të qeshim”- e pranon kancelarja. / “Linkiesta” – Bota.al