Ja se si Rusia po i përdor emigrantët si një armë kundër Evropës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ja se si Rusia po i përdor emigrantët si një armë kundër Evropës

Nga John Ruehl “National Interest”

Bashkimi Evropian po vuan ende pasojat e krizës së refugjatëve të vitit 2015. Dhe ndërkohë po përballet me një përpjekje të re për t’i përdorur flukset e refugjatëve dhe emigrantëve si një armë kundër unionit.

Ndërsa vala e fundit po orkestrohet nga Bjellorusia, ajo përfaqëson vetëm një pjesë të krizës kufitare evropiane që po nxitet nga fuqitë e jashtme. Prej disa muajsh, numri i fluturimeve për udhëtarët që vijnë nga Bagdadi i Irakut në Minsk është rritur në mënyrë të qëndrueshme. Agjencitë turistike irakiane dhe ato bjelloruse si dhe linjat ajrore respektive, kanë qenë të lumtura të plotësojnë kërkesën në rritje, por kjo e fundit nuk është aspak e natyrshme.

Në kundërpërgjigje të sanksioneve të mëtejshme që vendosi BE-ja kundër Bjellorusisë, për shkak të represionit politik të regjimit ndaj qytetarëve bjellorusë gjatë muajve të fundit, presidenti autokrat Aleksandër Llukashenko deklaroi hapur në maj të këtij viti synimin e tij për ta përmbytur Bashkimin Evropian me “emigrantë dhe drogë”.

Advertisement

Mijëra refugjatë dhe emigrantë kanë hyrë që nga ajo kohë në BE përmes Bjellorusisë, pavarësisht përpjekjeve të mëdha të autoriteteve kombëtare të emigracionit dhe Frontex, agjencisë kufitare e BE-së, për ta kufizuar këtë fluks.

Dredhia e Llukashenkos, është vetëm shembulli i fundit i përdorimit të refugjatëve si një armë politike kundër BE-së, duke shfrytëzuar angazhimin e bllokut për të respektuar të drejtat bazë të refugjatëve. Shumica e të mbërriturve të fundit nëpërmjet Bjellorusisë kanë ardhur nga Iraku, ndërsa pjesa tjetër kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Pas mbërritjes në Bjellorusi, ata inkurajohen të hyjnë në Zonën Shengen të BE-së përmes kufijve të Bjellorusisë me Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë.

Refugjatët në Evropë, janë thuajse gjithnjë të prirur të shkojnë drejt shteteve më të pasura perëndimore të BE-së.

Advertisement

Por shumica hyjnë në union përmes vendeve më të varfra jugore dhe lindore të BE-së, ku ka më pak infrastrukturë dhe vullnet publik për t’i mbështetur ata. Emigrantët mbërrijnë shpesh në këto vende me pak burime financiare, me aftësi të kufizuara gjuhësore,duke u mbështetur kryesisht tek ndihma e qeverisë vendase për të mbijetuar.

Brukseli është zemëruar pas refuzimit të disa shteteve anëtare të BE-së për të pranuar një numër refugjatësh në proporcion me popullsinë dhe mundësitë ekonomike. Kuotat e refugjatëve u hodhën poshtë si ide nga vendet e Vishegradit pas krizës së refugjatëve në 2015.

Kjo çoi në fillimin e mosmarrëveshje të vazhdueshme midis tyre dhe pjesës tjetër të BE-së. Dhe ndërsa disa nga refugjatët dhe emigrantët e kohëve të fundit janë lejuar të hyjnë në Poloni, Letoni dhe Lituani, këto vende ka të ngjarë që të mos jenë të gatshme t’u japin azil të përhershëm.

Udhëheqësit e BE-së dhe liderët e vendeve anëtare, kanë qenë të prirur të minimizojnë kërcënimin që vjen nga siguria e dobët e kufijve. Shtetet e BE-së pritet të lëshojnë këtë javë një deklaratë, ku do konfirmohet vendosmëria e tyre për të parandaluar emigrimin e pakontrolluar nga Afganistani.

Advertisement

Por në kushtet kur aktualisht ka mënyra gjithnjë e më të larmishme për të futur refugjatët në Evropë (dhe me vendosmërinë e vendeve të tjera që kjo të ndodhë), duket e pashmangshme që siguria kufitare e BE-së të vazhdojë të kërcënohet.

Përgjatë këtij viti autoritetet kufitare lituaneze, kanë ndaluar deri më tani 4.100 refugjatë që të hyjnë në Lituani nga Bjellorusia, krahasuar me vetëm 81 vitin e kaluar, 46 në vitin 2019 dhe 104 në vitin 2018. Rritja e madhe e refugjatëve,  e detyroi qeverinë lituaneze të shpallte një gjendje të jashtëzakonshme në muajin korrik.

Ndërkohë qeveria në Poloni i kërkoi zyrtarisht presidentit polak Andrzej Duda që të bënte të njëjtën gjë. Të mërkurën e javës së kaluar, shtetet anëtarë të BE-së e akuzuan Bjellorusinë për kryerjen e një sulmi të drejtpërdrejtë kundër tyre. Ato paralajmëruan Minskun se këto janë mjete “të luftës hibride”që synojnë ndëshkimin e tyre.

Po ashtu, javën e kaluar Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut urdhëroi Poloninë dhe Letoninë që t’u sigurojnë ushqim, ujë, veshje, kujdes mjekësor dhe strehim të përkohshëm refugjatëve dhe emigrantëve që kapërcejnë kufirin e tyre.

Advertisement

Kjo krizë e vazhdueshme, ka sjellë natyrisht edhe rritjen e oportunizmit politik dhe tensioneve sociale. Për shembull,Partia qeverisëse Ligj dhe Drejtësi në Poloni, e ka përdorur krizën për të argumentuar nevojën për zbatimin e ligjit dhe rendittë saj të rreptë mbi politikat e emigrimit, pasi popullariteti i saj në vend dhe kontrolli i dyshimtë i parlamentit, kanë shtuar gjasat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Dhjetëra emigrantë, që besohet se janë nga Afganistani, u bllokuan për javë të tëra në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë, duke çuar në përleshje midis policisë kufitare polake dhe aktivistëve të të drejtave të refugjatëve gjatë fundjavës së shkuar.

Në qershor u raportuan trazira në një qendër refugjatësh në Palbrade të Lituanisë. Llukashenko ka arsye të besojë se aftësia e tij për të shkaktuar trazira sociale dhe politike, do marrisë ndikimin e tij mbi BE-në. Edhe Turqia e ka shfrytëzuar vazhdimisht pozicionin e saj si një vend tranzit, për të marrë lëshime politike dhe financiare nga BE.

Para rënies së tij në vitin 2011, presidenti libian Muamar Gadafi i përdori flukset e emigrantëve për arsye të ngjashme. Dhe megjithëse kohët e fundit fokusi ka qenë mbi Bjellorusinë, disa faktorë sugjerojnë se e gjitha kjo orkestrohet nga Kremlini. Zëvendësministri i Jashtëm i Lituanisë, Mantas Adomenas, deklaroi kohët e fundit se disa nga emigrantët që përpiqeshin të kalonin kufirin e saj me Bjellorusinë ishin shtetas rusë. Renatas Pozela, komandant i rojeve kufitare lituaneze, deklaroi në vitin 2017 se agjencia e inteligjencës ruse, FSB, luan një rol kyç në zhvendosjen e emigrantëve nga Rusia dhe Bjellorusia në Lituani.

Advertisement

Lehtësimi i emigrimit të refugjatëve në Zonën Shengen, është pjesë e planit më të gjerë të Moskës për të shkaktuar trazira sociale në Evropë. Përmes qytetit verior rus të Kirkenes, shërbimi sekret rus, FSB, ndihmoi në kontrabandimin e qindra emigrantëve në javë drejt Norvegjisë gjatë krizës së emigrantëve në vitin 2015. Edhe qeveria finlandeze akuzoi në vitin 2015 grupet kriminale të mbështetura nga Rusia për kontrabandimin e refugjatëve dhe emigrantëve në vend.

Shfrytëzimi i sistemeve të dobëta kufitare të BE-së, i jep mundësi Kremlinit të eksportojë në Evropë rrjete kriminale të mbështetura nga Rusia, duke krijuar kësisoj një sfidë unike për zbatimin e ligjit dhe sistemet gjyqësore në kontinentin e vjetër.

Dhe sipas shërbimeve sekrete polake, amerikane dhe britanike, agjencia ruse e inteligjencës SVR futi shumë“ilegalë” në mesin e valës së refugjatëve që hynë në Evropë gjatë krizës së emigrantëve në vitin 2015. Tani dihet se disa terroristë të ISIS -it ishin pjesë e valës së emigrantëve të vitit 2015, duke përfaqësuar kërcënime të ndryshme të sigurisë në Zonën Shengen.

Kriza aktuale e Evropës,ka dëshmuar se sa i prekshëm mbetet kontinenti ndaj destabilizimit politik dhe trazirave sociale në raport me çështjen e refugjatëve, madje edhe nga një vend i vogël si Bjellorusia.

Advertisement

Ky problem vetëm sa do të përkeqësohet nga vërshimi i mundshëm i refugjatëve të rinj nga Afganistani. Nëse shtetet anëtare të BE-së do të ndërmarrin hapa të mëtejshëm për të zvogëluar lirinë e lëvizjes që gëzojnë qytetarët në Zonën Shengen, kjo do të gërryejë vazhdimisht një nga shtyllat themeltare të vetë BE-së.(Përshtatur nga CNA.al)

 

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy