Ja cilat do jenë 10 tendencat e teknologjisë për vitin 2022

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ja cilat do jenë 10 tendencat e teknologjisë për vitin 2022

Nga printimi 3D, tek makinat elektrike për të gjithë, nga super-privatësia deri tek ilaçet e personalizuara.

Këtë vit do të maturohen shumë tendenca të reja, që janë kultivuar për një kohë të gjatë me investime të mëdha, të cilat kanë pësuar një përshpejtim të ndjeshëm gjatë pandemisë.

Do të ketë kudo përvoja të realitetit hibrid (real+virtual)

Advertisement

Kompanitë e mëdha të teknologjisë si Facebook, Google, Microsoft dhe Apple po përshpejtojnë ndërtimin e platformave të tyre virtuale dhe të realitetit të shtuar. Ato synojnë të ndërtojnë sisteme me browser-a gjithnjë e më natyrale për përdoruesit, por qëllimi është të përfshijnë zhvillues të palëve të treta për të krijuar lojëra, aplikacione dhe shërbime virtuale.

Parashikimet mbi këtë sektor janë shumë heterogjene:sektori i video-lojërave, puna në distancë, kujdesi për të moshuarit, veshjet dhe sektori i shitjes me pakicë në përgjithësi.

Makina elektrike për të gjithë (ose pothuajse)

Advertisement

Çmimi i baterive të makinave elektrike po bie, ndërsa po rritet efikasiteti i tyre. Ndërkohë po ndërtohen gjithnjë e më shumë pika karikimi të shpejta. Ka modele të reja, me një gamë më të gjerë çmimesh, madje edhe në rënie. Gjatë 12 muajve të këtij viti do të ketë një zgjerim të madh të tregut të makinave elektrike, sidomos në Evropë.

Vendimi i Bashkimit Evropian për të ndaluar prodhimin e makinave të reja me motor me naftë apo benzinë duke filluar nga viti 2035, ka detyruar shumë kompani të shpallin që tani plane agresive për transformimin e njësive të tyre prodhuese. Dhe ky vit, duket si një test i përgjithshëm i asaj që na pret në vitet në vijim.

Blerjet po bëhen gjithnjë e më shumë përmes rrjeteve sociale

Advertisement

Rivalët e gjigantit amerikan “Amazon” nuk janë eBay apo Alibaba. Përkundrazi, janë aplikacionet e rrjeteve sociale. Në fakt, numri i blerjeve që po bëhen në platforma të tilla si TikTok, Instagram dhe Telegram po rritet ndjeshëm. Kjo gjë po ndodh pjesërisht për shkak të peshës që kanë këshillat nga influencerat.

Por diferencën e bëjnë videot dhe fotot. Por edhe ardhja e një brezi të ri që sipas “Financial Times”, është rritur me telefonat celular, dhe që tani bën Pazar në mënyrë shumë komode duke kërkuar në rrjetet sociale sesa tek faqet dhe aplikacionet tradicionale. Kompanitë si TikTok po shtyhen gjithnjë e më shumë drejt një tendence tashmë të qartë.

Mes mirëqenies dhe kuantifikimit të vetes

Advertisement

Ky vit do të sjellë shtimin e mjeteve që matin parametrat e shëndetit tonë:nga orat inteligjente tek unazat, nga telefonat e lidhur me syzet, por edhe televizori, kompjuterat dhe tabletët, web-kamerat. Kjo është epoka e “Vetes së Kuantifikuar”, mundësia për të matur gjithçka që na ndodh gjatë ditës.

Jo çdo gjë do të ndodhë brenda një viti, por ndikimi për shembull tek kostot e mirëqenies dhe shërbimet shëndetësore publike, do të jetë shumë pozitiv, pasi parandalimi ndihmon për të kuruar më mirë dhe mbi të gjitha bën të sëmuremi më pak, duke i përqendruar burimet drejt fushave të tjera.

Super-privatësia

Advertisement

Advertisement

A do të jetë viti 2022 viti i super-privatësisë? “Apple” e ka shndërruar në një prioritet, duke e quajtur atë një “të drejtë universale të njeriut”. Evropa po angazhohet ta forcojë atë kudo, dhe jo vetëm tek tregtia elektronike. Konkurrenca dhe presioni nga entet rregullatore, do të bëjnë që prodhuesit e softuerëve, pajisjeve dhe shërbimeve, të krijojnë produkte më miqësore ndaj privatësisë në vend se ta përdorin informacionin si një strategji kundër konkurrencës.

Superpasiguri kibernetike

Një konstante gjatë dekadës së fundit, ka qenë rritja e vazhdueshme e kërcënimeve dhe sulmeve në rrjet. Por siguria kibernetike e përsosur është diçka e pamundur të arrihet:një mirazh i vërtetë. Prandaj sulmet e hakerave të sponsorizuara nga shtetet e ndryshme do të rriten.

Advertisement

Këtu kemi 2 vektorë negativë:nga njëra anë rritja e aktiviteteve online të njerëzve. Sa më shumë i populluar të jetë rrjeti, aq më shumë rritet edhe numri i atyre që mund të sulmohet nga njerëz keqdashës. Nga ana tjetër është kompleksiteti i softuerëve dhe sistemeve teknologjike të përdorura në internet, të cilat janë gjithnjë e më të vështira për t’u menaxhuar dhe dezinfektuar. E gjithë kjo çon në një pasiguri kibernetike të lartë.

Do ketë kudo automatizim

Gjatë këtij viti do vazhdojë zhvillimi i rrjetit 5G. Por nuk do të jetë i vetmi, pasi do zhvillohen më tej edhe pajisjet inteligjente për shtëpitë, fabrikat, zyrat dhe qytetet. Kompania ARM po përgatit një çip të ri me kosto të ulët që mund të përdoret kudo:për etiketat e veshjeve dhe paketimin e ushqimeve. Pasoja është se gjithçka kalon në internet, gjithçka analizohet nga sistemet e inteligjencës artificiale, dhe shumë funksione po bëhen inteligjente dhe automatizohen.

Advertisement

Gjithçka do të mësohet në internet

Covid-19 na ka bërë të kuptojmë se jemi ende të papërgatitur për mësimin në distancë. Por zgjidhje të reja janë në rrugë e sipër. Nëse gjatë vitit të kaluar u shtuan kurset e trajnimit online, këtë vit konkurrenca mes shkollës tradicionale do të kalojë në rrjet, dhe do të ketë një garë të fortë mbi kurset online. Protagonistët nuk do të jenë universitetet online, por aplikacionet e trajnimit si Coursera dhe Udemy dhe kurset e ofruara nga kompanitë e mëdha. Kështu Google lëshon certifikata falas për teknologjitë e tij, veçanërisht në sektorin e reklamave.

Ilaçe të reja të përshtatura për grupe të veçanta

Advertisement

Ilaçet do të trajtohen si kode softuerike:ato do të projektohen, studiohen dhe përshtaten për disa grupe njerëzish. Do të ketë teste të reja klinike, dhe të dhënat e mëdha do të luajnë një rol themelor për të kuptuar se si funksionojnë barnat e reja. Po ashtu përdorimi i Inteligjencës Artificiale do të përshpejtojë proceset e prodhimit, dhe dozimi i saktë i barnave do të bëhet lehtësisht më i arritshëm për të gjithë.

Mbërrin më në fund printimi 3D

Advertisement

Printimi 3D po përdoret normalisht në fabrika. Gjatë pandemisë aktuale, kjo teknologji ka ndihmuar në lehtësimin e presionit mbi zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit që u ndërpre për shkak të bllokimeve. Ndërkohë, investimet e reja në këtë sektor do të kenë një efekt pozitiv në të gjithë tregun.

Tendencat e vitit 2022 janë të shumta, pasi në realitet ky treg është shumë jetik:llojet e materialeve të përdorshme po rriten, kostoja e pajisjeve elektroshtëpiake po ulet, procedurat thjeshtohen dhe ka projekte gjithnjë e më të mëdha dhe me kosto më të ulët.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy