Luftimet e ashpra mes Izraelit dhe Hamasit kanë hyrë në javën e dytë me sulme ajrore dhe raketa që kanë shkaktuar dhjetëra viktima.
Edhe mëngjesin e të hënës Izraeli ka vijuar intensivisht me sulmet ajrore në disa zona të Gazës, ndërsa Hamasi është kundërpërgjigjur duke hedhur breshëri raketash në Izraelin jugor.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kane goditur 35 objekte ku dyshohet se fshiheshin ushtaret dhe shkatërruan më shumë se 15 km të një rrjeti tuneli që i përkiste Hamasit. Zyrtarët në Gaza kanë njoftuar se sulmet kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa janë dëmtuar qindra shtëpi dhe ndërtesa të tjera.
Sipas autoriteteve palestineze e diela ishte dita më vdekjeprurëse që nga fillimi i luftimeve me Izraelin,ku janë vrarë mbi 42 persona. Deri tani raportohet se jane vrare te pakten 197 palestineze, shume prej te cileve femije dhe gra.
Ndërsa ushtria izraelite ka theksuar se ka shënjestruar udhëheqësit dhe infrastrukturën e lidhur me Hamasin dhe jo qytetaret.
Ndërkohë, një ditë më parë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një takim urgjent për të diskutuar situatën në Lindje të Mesme, por nuk u arrit dakordësia për miratimin e një deklarate të përbashkët.
Ambasadorja amerikane, Linda Thomas-Greenfield tha se SHBA-të ishin të gatshme të ofronin mbështetje vetëm nëse dy palët kërkojnë një armëpushim. Ndërkohë diplomatet izraelite dhe palestinezë hodhën akuza ndaj njëri-tjetrit për krime lufte dhe për përshkallëzimin e dhunës.
Këtë të martë ministrat e punëve të jashtme të bashkimit evropian do të mblidhen në një takim urgjent për të diskutuar rreth situatës.