Izraeli kërcënon se do të sulmojë qytetin Rafah gjatë muajit të Ramazanit nëse nuk lirohen pengjet

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Izraeli kërcënon se do të sulmojë qytetin Rafah gjatë muajit të Ramazanit nëse nuk lirohen pengjet

Forcat izraelite vazhduan sulmet ajrore dhe operacionet tokësore të hënën në pjesën jugore të Rripit të Gazës, ndërkohë që sipas zytarëve shëndetësorë në Gazë numri i palestinezëve të vrarë që nga tetori në këtë territor ka kaluar shifrën prej 29,000 njerëzish.

Ministria e Shëndetësisë, që udhëhiqet nga Hamasi, njoftoi se 107 persona janë vrarë gjatë ditës së fundit dhe se numri i përgjithshëm i të plagosurve nga sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës ka arritur në 69,000. Në këto shifrat e publikuara nga Minisitria e Shëndetit në Gazë përfshihen civilët dhe militantët, por zyrtarët e saj kanë njoftuar se rreth dy të tretat e viktimave në Gazë janë gra dhe fëmijë.

Ushtria e Izraelit njoftoi të hënën se ka goditur qytetin më të madh në pjesën jugore të Gazës Khan Younis, ndërkohë që është rritur shqetësimi në komunitetin ndërkombëtare rreth ofensivës së paralajmëruar izraelite në qytetin Rafah.

Gjenerali i pensionuar izraelit, Benny Gantz, i cili është pjesë e kabintetit të luftës së Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha të dielën se nëse Hamasi nuk i liron pengjet e mbetura, që po i mban në Gazë para fillimit të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, “luftimet do të vazhdojnë në zonën e Rafahut.”

Advertisement

Ramazani pritet të fillojë më 10 mars.

Sipas zotit Gantz, çfarëdo ofensive në Rafah do të bëhet në koordinimin me Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara për të lehtësuar evakuuimin dhe për të “minimizuar dëmet ndaj civilëve sa më shumë që të jetë e mundur.”

Qyteti Rafah është menjëherë pranë kufirit egjiptian dhe me shkatërrimin e gjerë që ka lënë prapa kundër-ofensiva e Izraelit në tërë Rripin e Gazës, është e paqartë se ku mund të gjejnë siguri civilët palestinezë.

Mbi gjysma e popullatës së Gazës tani është e strehuar në Rafah, shumica e të cilëve kanë ikur në këtë pjesë nën urdhrat izraelite për evakuim dhe luftës, e cila ka filluar në pjesën veriore të Gazës dhe gradualisht ka lëvizur drejt jugut.

Advertisement

Kryeministri Netanyahu përsëriti të dielën se Izraeli synon të përmbushë qëllimin për të shkatërruar Hamasin.

Izraeli filloi fushatën ushtarake për shkatërrimin e Hamasit pas sulmit të miliantëve të këtij grupi, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, në jug të Izraelit më 7 tetor, në të cilin u vranë 1,200 njerëz dhe u rrëmbyen rreth 250 tjerë. Hamasi besohet se ende mbanë 130 pengje në Gazë, në mesin e tyre edhe 30 që mendohet se kanë vdekur.

Izraeli hodhi poshtë të dielën thirrjet ndërkombëtare, përfshirë nga Shtetet e Bashkuara, për “njohje të njëanshme” të shtetit palestinez, duke thënë që një marrëveshje e tillë mund të arrihet vetëm përmes negociatave.

Kryeministri Netanyahu hodhi në votim para kabinetit të tij një deklaratë rreth shtetit palestinez, që u miratua njëzëri.

Advertisement

Në deklaratën e miratuar nga kabineti izraelit thuhet se shteti hebraik “kategorikisht refuzon dekretet ndërkombëtare për një marrëveshje përfundimtare me paletinezët.”

Përpjekjet për të siguruar një zgjidhje me dy shtete – një shtet palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës në dy anët e Izraelit, kanë ngecur që nga viti 2014.

Por me luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë tani në muajin e pestë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera po përsërisin thirrjet për krijimin e një shteti palestinez për t’iu dhënë fund luftimeve. Presidenti amerikan Joe Biden ka bërë thirrje për një marrëveshje më gjithpërfshirëse në Lindje të Mesme që do të përfshinte normalizimin e marrëdhënieve diplomatike të Arabisë Saudite dhe shteteve arabe me Izraelin.

Në deklaratën që hedh poshtë krijimin e shtetit palestinez, Izraeli theksoi se një njohje e tillë e shtetit palestinez pas sulmit të Hamasit në tetor “do t’i jepte një shpërblim të madh, të pashembullt terrorizmit dhe do të pengonte arritjen e një marrëveshjeje paqeje në të ardhmen.”

Advertisement

Kryeministri Netanyahu është zotuar se do ta luftojë Hamasin deri në arritjen e një “fitoreje absolute.” Shtetet e Bashkuara kanë provuar, deri më tani pa sukses, që të ndërmjetësojnë një armëpushim të ri dhe të arrijnë një marrëveshje për lirimin e pengjeve, që ende po mbahen nga Hamasi në Gazë.

Zoti Netanyahu ka thënë se kërkesat e Hamasit që Izraeli të tërheqe trupat nga Gaza dhe t’i lë militantët në kontroll të territorit me kapacitet për të rindërtuar arsenalin e tyre “nuk përkojnë me realitet”.

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha përmes një deklarate të shtunën se Shtetet e Bashkuara do të përdorin fuqinë e vetos ndaj një plani algjerian që pritet të parashtrohet në Këshill të Sigurimit të OKB-së këtë javë, i cili bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara duan “një zgjidhje të qëndrueshme” të konfliktit në Gazë që do të sillte një periudhë të menjëhershme dhe të qëndrueshme të ndërprerjes së luftimeve në Gazë për të paktën gjashtë javë, që më pas “mund të shfrytëzohej për hedhjen e hapave të ndërtimit të një paqeje më të qëndrueshme.”

Advertisement

Ajo tha se plani për të cilin po punojnë Shtetet e Bashkuara me ndihmën e Izraelit, Egjiptit, Katarit dhe të tjerëve “përbën mundësinë më të mirë për t’i kthyer pengjet tek familjet e tyre dhe për të mundësuar një pauzë të zgjatur të luftimeve, që do të lejonte depërtimin e ushqimeve, ujit, karburanteve, ilaçeve dhe gjërave tjera themelore për civilët palestinezë që kanë nevojë të madhe për ato.”

Ajo tha se plani algjerian nuk mund të sigurojë rezultate të tilla. Ambasadorja amerikane në OKB tha se nëse hidhet për votim, plani algjerian nuk do të miratohej./voa

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy