Pas vendimit të Izraelit për ti refuzuar vizën shefit të çështjeve humanitare në OKB Martin Griffiths, ka reaguar sekretari i përgjithshëm i organizatës se Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres. Ai deklaroi se është keqinterpretuar përsa i përket deklaratave të tij në Këshillin e Sigurimit .
“Jam i tronditur nga keqinterpretimet e disa deklaratave të mia dje në Këshillin e Sigurimit – sikur po justifikoja aktet e terrorit nga Hamasi. Nuk është e vërtetë. Ishte e kundërta. Kam dënuar pa mëdyshje aktet e tmerrshme dhe të paprecedentë të terrorit të 7 tetorit nga Hamasi në Izrael. Asgjë nuk mund të justifikojë vrasjen, plagosjen dhe rrëmbimin e qëllimshëm të civilëve . Dhe më pas vazhdova me ndërhyrjen time duke iu referuar të gjitha qëndrimeve të mia për të gjitha aspektet e krizës në Lindjen e Mesme”
Konflikti Izrael-Hamas dhe situata e rënduar humanitare në rripin e izoluar të Gazës ka shkaktuar përplasje të forta mes Tel Avivit dhe Kombeve të Bashkuara si asnjëherë më parë.
Tensionet nisën gjatë seancës në Këshillin e Sigurimit, ku kreu i OKB Antonio Guterres deklaroi se sulmet e Hamasit nuk erdhën nga hiçi, ndërsa ambasadori i Izraelit në këtë organizatë kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të tij.
Ambasadori i Izraelit, Gilad Erdan ka bërë të ditur se vizat do të refuzohen për të gjithë përfaqësuesit e organizatës duke thënë se ka ardhur koha për t’iu dhënë atyre një mësim.
Kombet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht thirrje për një armëpushim humanitar në luftime me qëllim futjen e ndihmave bazike dhe karburantit që është jetik për rripin e Gazës.
Shtetet të tjera të lindjes kërkojnë armëpushim të menjëhershëm nga Izraeli, ndërsa perëndimi kërkon ndërprerje më të shkurtra të sulmeve për arsye humanitare.
Zëdhënësi i sigurisë kombëtare në SHBA, John Kirbi tha në deklaratën e tij të fundit, se një armëpushim në këtë moment të konfliktit do të ndihmonte vetëm Hamasin.