Liderët politikë dhe ata të mbrojtjes së Izraelit pritet të takohen të dielën për të biseduar lidhur me përgjigjen ndaj sulmit, që sipas ministrit izraelit të Mbrojtjes “me gjasë” është kryer nga Irani kundër një anijeje kargo të Izraelit në Gjirin e Omanit.
Televizioni shtetëror Kan citoi një zyrtar izraelit të ketë thënë se Irani ka kaluar “vijën e kuqe” lidhur me shpërthimin e 25 shkurtit, në anijen MV Helios Ray.
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Benny Gantz ka thënë se me gjasë Irani qëndron prapa shpërthimit në anijen izraelite, e cila ishte duke lundruar nga porti saudit i Dammamit për në Singapor.
“Vendndodhja e anijesh është në afërsi të Iranit dhe besohet se Irani është përgjegjës, por kjo gjë duhet të verifikohet”, tha ai për televizionin Kan.
Zyrtarët iranianë ende nuk janë përgjigjur për këto akuza.
Autoritetet izraelite thanë se do të shkojnë në Dubai për të hetuar incidentin.
Irani e ka fajësuar Izraelin për vrasjen e një shkencëtari bërthamor në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe është zotuar se do të hakmerret.
Ministri Gantz ka thënë se është e ditur se Irani ka për synim që të sulmojë caqet izraelite.
Nga shpërthimi në këtë anije nuk ka pasur viktima, por ka pasur dëme materiale.
Shpërthimi ndodhi pothuajse në të njëjtën kohë kur Shtetet e Bashkuar më 25 shkurt sulmuan në Sirinë lindore grupet e milicive që mbështeten nga Irani./ Rel