Italia ka vendosur të bllokojë përdorimin e TikTok, të paktën deri më 15 shkurt. Vendimi u mor pas vdekjes së një 10-vjeçareje, e cila sipas mediave italiane, mori pjesë në një sfidë në rrjetin e ndarjes së videove TikTok.
Nga përdorimi i këtij aplikacioni privohen ata, mosha e të cilëve nuk mund të provohet saktësisht. Sipas kushteve të TikTok, përdoruesit duhet të jenë të paktën 13 vjeç. E mitura u gjet në tualetin e shtëpisë e asfiksuar dhe ndërroi jetë në një spital të Palermos. Për vendimin në fjalë, një zëdhënës i TikTok tha se siguria është prioritet.
“Siguria e komunitetit të TikTok është prioriteti ynë absolut. Për këtë arsye ne nuk lejojmë asnjë përmbajtje që inkurajon, promovon dhe glorifikon sjellje që mund të jenë të rrezikshme.”