Ish presidenti Donald Trump do të dorëzohet para autoriteteve në Atlanta këtë të enjte lidhur me akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias. Trump e bëri vetë publik njoftimin për dorëzimin përmes një postimi në rrjetet sociale ku gjithashtu përsëriti se akuzat e ngritura ndaj tij janë të motivuara politikisht.
Ish presidenti Donald Trump njoftoi përmes një postimi në rrjetin social Truth Social se do të dorëzohet këtë të enjte, tek autoritetet në Atlanta, lidhur me përpjekjet e dyshuara të tij, për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias.
Në postimin e së hënës, zoti Trump shkruante “do të shkoj në Atlanta, Xhorxhia, të enjten që të më arrestojnë”.
Sipas akpadisë prej 98 faqesh, që u publikua javën e kaluar, ndaj ish presidentit dhe 18 të pandehurve të tjerë rëndojnë në total 41 akuza penale.
Akuzat ndaj zotit Trump përfshijnë shantazhin, shkeljen e betimit të presidentit, komplotin për të kryer falsifikim dhe për të paraqitur dokumente të rreme dhe shkelje të tjera.
Në postimin e tij në median sociale, zoti Trump e cilësoi ngritjen e akptadisë si të motivuar politikisht, me synim dëmtimin e fushatës së tij elektorale, ndërsa ai ka shpallur kandidaturën për t’u rizgjedhur president i Shteteve të Bashkuara.
Rrjeti televiziv CNN raportoi se data e dorëzimit ishte caktuar gjatë bisedimeve të së hënës mes avokatëve të zotit Trump dhe prokurorëve të qarkut Fulton mbi garancinë financiare të zotit Trump dhe kushtet e lirimit.
Sipas marrëveshjes, presidenti do të duhet të paguajë edhe një garanci financiare prej 200 mijë dollarësh. Marrëveshja e detyron atë të mos shkruajë mesazhe kërcënuese në rrjetet sociale, ndërsa ai pret nisjen e procesit gjyqësor ndaj tij në Xhorxhia. Atij i ndalohet të ndajë edhe pastime të të tjerëve me një përmbajtje të tillë.
Autoritetet lokale kanë njoftuar për masa të rrepta sigurise përreth zonës së burgut të rajonit të Fultonit, gjatë kohës që zoti Trump do t’i nënshtrohet procedurave ligjore.
Aktipadia në Xhorxhia është çështja e katërt gjyqësore në ngarkim të ish presidentit.
Për të katërt rastet zoti Trump ka deklaruar se është i pafajshëm.
Zoti Trump mund të kalojë një pjesë të madhe të vitit të ardhshëm në procese gjyqësore edhe pse ai garon për të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë e ndërsa deri më tani, udhëheq garën në mesin e republikanëve për të marrë emërimin zyrtar të partisë për betejen presidenciale të vitit 2024.
Prokurorët në Xhorxhia kanë kërkuar që gjyqi ndaj tij të fillojë në 4 mars, ndërsa avokatët e zotit Trump kanë kërkuar nisjen e gjyqit në vitin 2026./VOA/