Donald Trump është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave federale se ka orkestruar një komplot për përmbysjen e humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara.
Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, i cili ka udhëhequr hetimin ndaj asaj që prokurorët amerikanë e quajnë përpjekje të paprecedente nga presidenti i atëhershëm për të minuar shtyllat e demokracisë amerikane, ka shikuar nga rreshti i parë i sallës së një gjykate në Uashington, në pasditen e së enjtes (sipas kohës lokale), teksa Trump ka thënë se ndihet i pafajshëm, duke qëndruar para gjyqtarit Moxila Upadhyaya.
Paraqitja e Trumpit në gjyq, e cila ka zgjatur rreth gjysmë ore, më 3 gusht, ka ndodhur vetëm një kilometër larg ndërtesës së Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën mbështetësit e tij e sulmuan më 6 janar të vitit 2021, në përpjekje për ta ndalur certifikimin e disfatës së tij zgjedhore nga legjislativi amerikan.
Deklarimi i Trumpit si i pafajshëm në gjyq – hera e tretë që ai bën një gjë të tillë në katër muajt e fundit – ka nisur një betejë disamujore gjyqësore, e cila do të zhvillohet në kohën e fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Trump është favorit për të siguruar nominimin nga Partia Republikane për ta sfiduar në zgjedhje presidentin aktual nga radhët e Partisë Demokratike, Joe Biden.
Në një aktakuzë prej 45 faqesh, të publikuar të martën, Smith ka akuzuar Trumpin dhe aleatët e tij për mbështetje të pohimeve të rreme se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar, duke u bërë trysni zyrtarëve shtetërorë dhe federalë që të ndryshonin rezultatet dhe t’ia merrnin votat elektorale Bidenit.
Trump, 77-vjeçar, akuzohet, ndër të tjera, për konspiracion për mashtrimin e SHBA-së, për privimin e qytetarëve nga e drejta e tyre për t’iu numëruar votat, dhe për pengimin e një procesi zyrtar. Akuza më serioze parasheh dënim me burgim prej 20 vjetësh.