Ish-Myftiu i Tiranës Ylli Gurra mesazh nga Dragostunja: Pandemia na privoi nga namazet e përbashkëta, vëmendje moshës së tretë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ish-Myftiu i Tiranës Ylli Gurra mesazh nga Dragostunja: Pandemia na privoi nga namazet e përbashkëta, vëmendje moshës së tretë

Ashtu sikurse kishte paralajmëruar Komuniteti Mysliman i Shqipërisë edhe në Qarkun e Elbasanit të gjithë besimtarët, duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në Shqipëri, namazin e Fiter Bajramit që përkoi me këtë të diel të 24 majit e falën nëpër xhamia, sipas masave dhe protokollit të publikuar më parë.

Në Ceremoninë e Fiter Bajramit në Xhaminë e Dragostunjës në Bashkinë e Librazhdit e cilësuar si një ndër më të rëndësishmet e Qarkut të Elbasanit ishte i pranishëm ish-Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Gjatë ligjëratës së tij para pjesëmarrësve që ishin të pranishmën në faljen e Namazit ai uroi për më shumë paqe, gëzime, begati, mirëqenie e punë, besimtarët e pranishëm në Xhaminë e Dragostunjës së Bashkisë së Librazhdit që është edhe vendlindja e tij. Gurra u shpreh se Fiter Bajrami është kurorëzimi i muajit të Ramazanit, është ftesa e shpalosjes së vlerave të fituara në këtë muaj, është shpërblimi i sakrificës, është afrimi më shumë me Zotin.

“Bajrami është ditë shprese, gëzimi dhe solidarizimi, është dita e manifestimit të vlerave dhe virtyteve që Ramazani i ka rizgjuar tek njeriu, është dita e falënderimeve dhe dita e dashurisë. Këtë muaj e përjetuam ndryshe nga Ramazanet e tjera, u privuam nga namazet e përbashkëta, iftaret dhe festimet me të dashurit. Por falë Zotit ky Bajram vjen në një situatë më të përmirësuar”, theksoi Ylli Gurra.

Ai këshilloi dhe sugjeroi që gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj familjes, fëmijëve, prindërve, të moshuarve, të sëmurëve dhe shtresës në nevojë. Ish-Myftiu i Tiranës Ylli Gurra nga xhamia e Dragostunjës në Bashkinë e Librazhdit lëshoi mesazhe mjaft kuptimplote për shoqërinë shqiptare dhe Shqipërinë në këtë periudhë kaq të vështirë për të gjithë njerëzimin që është duke u përballur me Pandeminë e shkaktuar nga Covid 19.

Advertisement

Gurra theksoi se është koha që të tregohet kujdes maksimal për moshën e tretë në vendin tonë dhe të rinjtë të mos e braktisin vendin. Ndërsa qeveria dhe shteti të marri përgjegjësi më të mëdha për ta begatuar këtë vend të mrekullueshëm.

Pas kësaj periudhe të vështirë ne shqiptarët duhet ta forcojmë edhe më tepër mbështetjen e pakushtëzuar për njëri tjetrin dhe emigrantët shqiptarë kudo ndodhen të orientohet drejt zhvillimit e fuqizimit të bizneseve. Ndërkohë u shpreh Ylli Gurra, Komuniteti Mysliman Shqiptar ka ardhur koha t’i kthehet fuqishëm dhënies së shërbimeve në favor të mbrojtjes së çështjes kombëtare sikundër kanë bërë paraardhësit H.Vehbi Dibra e H.Sabri Koçi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy