Intervista e Putin me komentuesin amerikan Carlson kritikohet si propagandë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Intervista e Putin me komentuesin amerikan Carlson kritikohet si propagandë

Intervista e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, me Tucker Carlson, komentuesin amerikan i cili ka bërë emër duke përhapur teori konspiracioni dhe e ka vënë në pikëpyetje mbështetjen e Uashingtonit për Kievin në luftën e saj kundër trupave pushtuese ruse, është kritikuar ashpër pse i është dhënë platformë propaganduese liderit rus në intervistën e tij të parë me një gazetar amerikan prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës para gati dy vjetëve.

Gjatë intervistës, Putini përsëri pretendoi se Ukraina ishte kërcënim për Rusinë, sepse Perëndimi po e tërhiqte këtë vend drejt NATO-s – gjë që është mohuar plotësisht nga aleanca ushtarake – derisa i ka shmangur temat si, lufta e tij brutale ndaj shoqërisë civile dhe lirisë së shprehjes në Rusi.

Putini i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara t’i bëjnë trysni Kievit t’i ndalë luftimet dhe të arrijë marrëveshje me Rusinë, e cila e ka pushtuar një të pestën e Ukrainës.

Carlson rrallëherë e sfidoi Putinin, i cili foli gjatë për historinë e Rusisë dhe Ukrainës, duke dështuar t’i përmendë akuzat nga grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë.

Advertisement

Edhe ndaj vetë Putinit ka urdhërarrest ndërkombëtar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për dëbimin e jashtëligjshëm të fëmijëve ukrainas dhe dërgimin e tyre në Rusi gjatë luftës.

“Putini e dha mesazhin e tij ashtu siç dëshironte”, tha Ian Bremmer, ekspert politik nga Nju Jorku dhe president i Eurasiagroup.

Carlson është përballur me kritika për intervistimin e Putinit kur Qeveria e tij po e mban Gershkovichin dhe një tjetër gazetare amerikane, Alsu Kurmashevën e Radios Evropa e Lirë, në burg nën akuzat në lidhje me raportimet e tyre, të cilat të dy i mohojnë plotësisht. Rasti i Kurmashevës nuk u përmend në intervistë.

Për Gershkovichin, Putini tha se zyrtarët rusë dhe amerikanë janë duke biseduar dhe se ka përparim në këtë rast. Ai la të kuptohej se Moska e dëshiron që Gjermania ta lirojë Vadim Krasikovin, i cili u dënua më 2019 për vrasjen e një disidenti çeçen në Berlin, në këmbim të Gershkovichit.

Advertisement

“Ne kemi vullnet ta zgjidhim këtë, por ka kushte të caktuara që duhet të bisedohen. Unë besoj se mund të arrihet marrëveshje”, tha ai.

Komentuesi politik i ekstremit të djathtë, Tuchker Carlson, i cili e mbajti intervistën më 6 shkurt dhe e publikoi në uebsajtin e vet, e pyeti Putinin nëse ai mund ta parafytyronte Rusinë duke dërguar trupa brenda Polonisë.

“Vetëm në një rast, nëse Polonia e sulmon Rusinë. Ne nuk kemi interes në Poloni, apo Letoni, apo diku tjetër. Pse do ta bënim këtë? As që bëhet fjalë”, tha Putin.

Carlson, ish-gazetar i Fox News, bëri emër duke përhapur teori konspiracioni dhe e ka vënë në pikëpyetje mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën në luftën e saj kundër trupave pushtuese ruse. Kjo ishte intervista e parë e Putinit me një figurë të mediave perëndimore prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në fillim të vitit 2022.

Advertisement

Duke e përshkruar vendimin për ta intervistuar Putinin, Carlson tha më 6 shkurt në X se mediat amerikane përqendrohen në presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe se zëri i Putinit nuk dëgjohet në Shtetet e Bashkuara, sepse gazetarët perëndimorë “nuk janë lodhur” ta intervistojnë atë prej se nisi pushtimin e Ukrainës.

Por, shumë gazetarë perëndimorë e kanë mohuar këtë, duke thënë se ata kanë kërkuar vazhdimisht ta intervistojnë Putinin, por janë refuzuar.

Këtë e konfirmoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili tha se zyra e tij ka marrë shumë kërkesa për intervista me presidentin, por “shumica e mediave perëndimore që cojnë kërkesë janë televizione tradicionale ose gazeta të mëdha të cilat nuk e marrin mundin bile të duken të paanshme në raportimet e tyre. Natyrisht se nuk kemi dëshirë të komunikojmë me media të tilla”.

Reputacioni i Carlsonit si gazetar i pavarur është vënë në dyshim, dhe më 2020, Fox News e fitoi një rast për shpifje kundër tij. Gjykatësja kishte thënë në vendimin e saj se Carlson gjatë prezantimit të storjeve nuk po “theksonte fakte të vërteta” për çështjet që diskutonte dhe se po “ekzagjeronte”.

Advertisement

Carlson ishte njëri prej gazetarëve më të vlerësuar të Fox News para se të largohej vitin e kaluar./REL/

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy