I akuzuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara për terrorizëm në bashkëpunim me talebanët, një musliman i devotshëm nga Kina perëndimore shpenzoi 4 vite në burgun famëkeq të Guantanamos, para se çështja e tij të pushohej dhe ai të dërgohej për në Shqipëri.
Kjo ndodhi para 15 vitesh, dhe Abu Bakker Qassim gjendet ende i bllokuar në Shqipëri – një vend, të cilin ai nuk e dinte ku ishte para se ta zhvendosnin këtu.
Sot, 51-vjeçari ka disa fjalë për t’i thënë qindra afganëve të cilët u arratisën nga regjimi taleban, dhe po presin për aprovimin e dokumenteve për të shkuar në SHBA, në disa nga vendet më të varfra por mikpritëse të Evropës.
“Amerikanët,” – thotë ai, duke rikujtuar mënyrën se si ai dhe katër Ujgurë të tjerë u burgosën gabimisht e më pas u dërguan në Shqipëri, ku iu premtua se nuk do të qëndronin gjatë, “humbin shumë shpejt interes – ata thjesht na hodhën këtu.”
Shqipëria i ka garantuar z. Qassim statusin e ‘mbrojtjes humanitare’. Ai merr një rrogë mujore prej $400 dollarësh, dhe ende nuk ka pasur mundësi të marrë vizë apo pasaportë, gjë që i heq atij çdo mundësi lëvizjeje.
I vetmi vend që e pret atë sot është Kina, e cila e konsideron terrorist pas mbështetjes së tij të hapur për grupet separatiste që duan të shpallin e pavarësinë e rajonit kinez të Xinjiang, të cilin ai e quan Turkestan.
Nëse ai kthehet në Kinë është e sigurt të arrestohet.
Rreth 700 Afganë kanë mbërritur në Shqipëri dhe janë vendosur më së shumti në qytetin e Durrësit.
Qassim ndjehet i tronditur nga fakti që kaq shumë Afganë po ikin nga frika e regjimit taleban, me shpresën se SHBA do t’i marrë.
Ndryshe nga Ujgurët, të cilët shtypen vazhdimisht nga qeveria kineze, duke u vendosur në kampe përqendrimi, afganët, thotë Qassim, kanë shtetin e tyre.
“Nuk e kuptoj përse ata kanë ikur,” – thotë ai.
Sidoqoftë, Qassim është në Shqipëri prej 15 vitesh dhe tashmë flet një shqipe të rrjedhshme.
Ai nuk e ka parë familjen për më shumë se 20 vite, dhe shqetësohet për të afërmit e tij që kanë mbetur në Kinë duke e quajtur atë një vend të “rrezikshëm, ekstremist që po bën gjenocid ndaj popullit Ujgur”.
Hera e fundit që foli me vajzën e tij 21-vjeçare, ajo ishte në Xinjiang, ku ishte detyruar të punonte në një fabrikë dhe të martohej me një burrë kinez të një fisi tjetër për të fshehur origjinën e saj.
I ndarë nga familja, Qassim është martuar sërish në Shqipëri me një grua Ujgur me të cilën ka 3 fëmijë.
Qassim e njoftojë ish-gruan e tij kineze për këtë me telefon, gjë që “e bëri atë disi të inatosur”, por si përfundim ajo e kishte kuptuar.
Por, pas gjithë kësaj, Qassim ende nuk i humb shpresat tek Amerika. Sipas tij, e vetmja që mund t’i japë pavarësinë rajonit të tij është pikërisht ajo.
“Çdo vend bën gabime, – thotë ai – por unë nuk mund të ndaloj së besuari tek SHBA vetëm sepse ajo bëri padrejtësi me pesë Ujgurë të dërguar në Shqipëri.”
Artikulli origjinal i marrë nga intervista e z. Qassim e botuar në revistën Nju Jork Times, nga Andrew Higgins me kontributin e Fatjona Mejdinit