Nga Artan Gjyzel Hasani
Emrin e tij e kam dëgjuar që heret nga im atë. Kur binte fjala te mendjet e ndritura intelektuale të viteve 30-të dhe te penat e forta të asaj epoke, ai përmendte dy emra, Branko Merxhanin dhe Izet Bebeziqin.
Për të parin, ndonëse me vonesë, është shkruar dhe është nxjerrë disi nga harresa. Për të dytin shkruhet apo flitet fare pak, pothuajse hiç.
Po kush ishte Izet Bebeziqi?
U lind në Shkodër në vitin 1905, në një familje shqiptarësh të Podgoricës. Që në moshën 13 vjeçare, në vitin 1918, familja e dërgon me studime në Grac të Austrisë ku ndoqi gjimnazin klasik dhe mbaroi studimet universitare për filozofi dhe letërsi.
Jetoi në Austri plot 16 vjet, deri në vitin 1934. Njohës dhe bashkëpunëtor i “Babait” të Albanologjisë Norbert Joklit. Mik i ngushtë i Lasgushit dhe Çabejt. Erudit i klasit të lartë dhe një nga mjeshtrat e mëdhenj të gazetarisë shqiptare të kohës, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një poliglot i mahnitshëm, që fliste dhe shkruante lirshëm në 11 gjuhë (gjermanisht, italisht, anglisht, frengjisht, spanjisht, rusisht, serbokroatisht, turqisht, greqishte e vjetër dhe e re, latinisht).
E megjithatë:
I burgosur politik në mbretërinë e Zogut.
I internuar nga italianet në epokën e Fashizmit.
I burgosur 7 vjet nga Diktatura Komuniste.
Ndahet nga jeta në vitin 1982.
Pas 50 vjetësh harrese totale (shkodranët e mbajnë mend atë burrin që u jepte librat në bibliotekë te sporteli) figura e tij del në skenë pas një artikulli të gazetarit Besnik Dizdari në vitin 1994, e po atë vit nderohet me titullin “Mesues i Popullit”. Jetëshkrimi i tij është shumë interesant dhe atdhetar, por mbase do ta sjell në një tjetër rrëfim.
Për të marrë një shije të penës së Izet Bebeziqit po sjell për kënaqësinë time dhe të të gjithë ju një ese filozofike dhe artistike të tij, të botuar në vitin 1938, te gazeta “Kombi”.
Falenderoj me mirenjohje nipin e tij, z. Bamir Bebeziqi që ma mundesoi këtë artikull.
“Për ball Kulturës” – Izet Bebeziqi
Rrojmë në botën e shpirtvoglis shqiptare. Mendimet dhe qëllimet ma shllimore, ma të nalta, po vetë ma të shenjta shndrohen dhe interpretohen me ngjyrë të ndryshme t’interesës personale. Mjerisht, kështu janë rethanat dhe kushtet e jetës s’onë shoqënore: Heshtja, mpisi apatike dhe dehje letargjike plogmënije mendimesh. Vall mos asht oportuniteti, që na imponon dhe përdhunon të harrojmë, se gjeniu asht njimend produkti i kohës!? Le t’arsyetojë dhe të gjykojë secili për vehten e vet, se mendimet dhe gjykimet janë individuale. Për vehten t’ime nuk e dij dot, por mund të thom ma se me siguri, megjithëse jemi pak a shum mëshirë e Mamnonit, e parasë së ndyetë, prap se prapë shifet një frymë e re, plot gjallni dhe shnded, e cila përpiqet dhe stërmundohet të kalojë nëpër gurë ndër hyjtë. Asht brezi që po pregaditet.
Larg ç’do ngjyre dhe tendence politike, vetëm si besnik i të Drejtës, i të Vërtetës dhe i të Bukurës, po filloj të hartojë “Nji histori të Literatyrës botënore”, tue e mbledhë frymën dhe landën si nji “plagjiator i ligjëshëm”, aty këtu, sikundër bleta nektarin lule më lule. Në Kombin do zgjedhi dhe do të paraqesë fytyrat ma të shqueme të visareve ma të çmueshëm të letërsis e të mendimit botënor, tue pas përherë parasysh, se gjenin e prodhon koha, e cila po s’e pat dhe nuk e gjenë kreshnikun shprehës të vetin, asht ma se pathollogjike, me nji frymë t’sëmuet e lot lëngatë rënkuese. Por, nji kohë, e cila gjenë organin shprehës dhe çfaqës, njerin, që nevojitet të frymëzojë e t’udhëheqi rrethanat dhe kushtet sociale, atëherë kjo merr nji rrymë me nji gjallni të re e plot shnded n’organizmin e vet.
Sigurisht gjenit janë të pakët. Në ç’do kohë mund të flasin, ndërsa turma tjetër ndijon, heshtë ose s’fundi asht mëshirë e rrymës dhe e frymës së tyne. Pa këta nuk do t’i kuptofshim kohët e prendueme: Mendimet dhe ndjenjat përkatëse. Po të flasim me poetin gjerman, Gerhart Hauptmann, njeriu asht një harpë, lyrë, të cilën flladi ma i lehtë e shpien në tingllim e jonë. Me këtë krahasim kaqë të bukur dhe simbolik mund të thomi përgjithësisht, se ç’do njeri asht një instrument i till, i pajuem me tela të ndieshëm. Por, shumicën prej tyne, të ramt dhe lëvizja e telavet dhe vajtja zhvilluese e joneve e shpien në nji farë lëkundjeje dridhëse dhe tronditëse, ndërsa poetin në nji tingull kumbues e harmonizues muzikuer të përlmimevet shpirtnore, të cilin mund t’a ndiejë e t’a kuptojë dhe t’a shijojë ç’do njeri si pas dispozicioneve përkatëse psyhike.
Për të vazhdue nji pjesë e historis mendore në nji paraqitje çfaqëse të qëndrueshme nevojitet gjithherë vetëm nji njeri i domosdoshëm. Do të mjaftonte p.sh. për racionalizmin grek Sokrati, për atë të Francës Voltaire, për të Gjermanis Lessing-u, për Rilindjen angleze Shakespeare-i dhe për kohën t’onë vetëm Schiller-i i parë. Kunora dhe synetheza asht Nietzsche. Nietzschean asht fashizmi gjithashtu nietzschean asht dhe Nacional-Socializmi. Filosofi i “Mbinjeriut” predikonte Duje rrezikun ndërsa Mussolini me jetue me rrezik. Për Mussolini-n turma asht nji grue dhe Nietzsche e ban veçse mëshir të “Mbinjeriut”. Shpirti kaustik në pajtim me Nierzscheizmin dhe me rakcionin kundra “krimit të Versaillës” nga ana e Hitlerizmit shkaktoi kaosin e soçëm në botë: dy ballna ekstreme-shtetet autoritare dhe demokratit më të mëdha. Përfundimi: Aplikimi i shpikjeve njerzimbytëse në sheshin e Spanjës. O, Zot ku po vete njerzija? Nji fucoi baroti asht Çekoskllovakija! Ka vall nji mjet shpëtimi? Po, i vetmi Ideal: Sinçeriteti në mes të popujve. “Paneuropa” mund ta pështojë nga kateklisma Europën!
Në të këtillë njerëz objektivohet dhe pasqyrohet e gjithë koha. Gjeniu s’asht tjetër pra veçse nji formulë lidhëse dhe e shtrydhët, nji ajkë dhe nji ndrydhje mendimesh, në të cilën përmbledhen në nji formë konkrete dhe të preme idealet e parimet, epshet e dëshirat dhe veprat e të gjithë bashkëkohtarvet. Tutje, gjeniu asht nji ekstrakt i fortë, shques dhe theksues me pushted dominimi udhëheqës “Personalitetesh” bashkëkohtarë, nji destilat i kjartë dhe dallues e kryekrejet nji qënje esenciale e gjallë e përbame prej tyne. Njeriu i madh asht kryesisht prodhimi i kohës së vet. Sa më i madh aqë ma tepër asht produkti i kohës. Ky asht nji parim i përgjithshëm mbi vehtjen dhe cilsin e Gjeniut.
Por, vall, kush janë këta bashkëkohtarë? Kush i shquen si bashkëkohëtarë, si pjesëtarë të njij epokës historike me karakteristikat e veçanta, e cila në vetvedi ka ndiesin pozitive dhe specifike të botëkuptimit, haren e jetës, shkurt, stylin e karakterin e vet? Kërkush tjetër veçse “Poeti”. Ky e thekson formën e jetës. Jep parimet dhe udhëzimet e jetës dhe të kohës. Lahet e lyhet e hijeshohet me mija stolish të ndryshme. Shndrohet e paraqitet në trajta e gjasa të shumlloita. Na vetë vemi, qendrojmë, mendojmë, mënijmë, dashurojmë dhe ngashrejmë e andërrojmë si pas shllimeve dhe parimeve të tija. Ky na e ndrron opinionin, mejtimet dhe sjelljet, ndjenjën natyrore, besimtarin, dashunin dhe jetën erotike, gjanë ma të lartë e ma të ultë, shkurt, të gjitha drejtimet t’ona, qofshin shpirtnore e mendore, morale dhe materiale, evolucionare dhe revolucionare. Këjo frymë pushtuese dhe lëngate ngjitëse rrëmben dhe gjakun t’onë. Përçanë dhe dërmon molekylet e tija. Krijon me vrull e fuqi tytanike vargje dhe krijime të ra parimesh dhe mendime të tjera në botëkuptimin e në ndërgjegjen t’onë. Bahemi mëshirë e tij. Nji shprehje shqyptyese në shpejti nga goja e “Poetit” bahet nji parolë kuptuese dhe njazuese, të cilën e përdorin njerëzit, natën dhe ditën, për të këmbye Idet e Ndiesit nërmjet vedit. Ky e e influencon modën, fytyrën e njerëzis, të burrit dhe të gruesë. Ndikon po vetë natyrën. Gjestet dhe zani i njerëzvet merr nji aksent e tingull të ri. Shkurt: “Poeti” asht nji fuqi krijonjëse e veçantë mrekulluese dhe e mistershme, por gjithmonë e ngallnjyeshme në ç’do rrethanë e kusht dhe epshe njerëzore në forma e gjasa të ndryshme. Na vetë jemi mëshirë e artit. Jeta imiton artin. Këtë njimendësi mund t’a kuptojmë vetëm nga historija e letërsis botënore në lidhje me të mendjes. Po vall ç’asht letërsia dhe Jeta mendore tani në vedvedi?
Botuar në Qershor 1938, tek gazeta kulturore “Kombi”.