Hungaria është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që i ka dhënë miratimin paraprak vaksinës ruse kundër koronavirusit Sputnik V.
Të enjten, shefi i stafit të kryeministrit Viktor Orban konfirmoi se autoritetet shëndetësore i kanë dhënë dritën jeshile edhe vaksinës ruse, edhe vaksinës së zhvilluar nga kompania britanike AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, do të udhëtojë në Moskë për të diskutuar rreth dërgesave dhe shpërndarjes.
Rezultatet e hershme të testimeve të vaksinës Sputnik V kanë treguar se efikasiteti i saj është mbi 90 për qind.
Zyrtarët shëndetësorë hungarezë ndodhen po ashtu në Pekin, për bisedime me autoritetet atje rreth miratimit dhe shpërndarjes së rreth një milion dozave të vaksinës kineze kundër koronavirusit Sinopharm.
Sinopharm tashmë po përdoret në Serbinë fqinje.
Sinopharm, kompani shtetërore kineze, ka thënë muajin e kaluar se vaksina e saj është 79% efektive – më pak se ato të kompanive amerikane Pfizer dhe Moderna.
Por, kryeministri i Hungarisë ka thënë se mënyra e vetme që vendi t’i përmbushë kërkesat për vaksinim – marrë parasysh shpërndarjen e ngadalshme “zhgënjyese” të vaksinës Pfizer – është duke blerë vaksina nga Rusia dhe Kina.
Imunizimi kundër koronavirusit në Bashkimin Evropian ka nisur në fund të dhjetorit me vaksinën që kompania amerikane Pfizer ka krijuar në bashkëpunim me kompaninë gjermane BioNTech.
Procesi, megjithatë, është kritikuar për ritëm të ngadalshëm.
Në fillim të janarit, BE-ja ka miratuar edhe përdorimin e vaksinës Moderna, ndërsa AstraZeneca ka aplikuar tashmë për autorizim.
Agjencia Evropiane e Barnave ka thënë se opinionin për vaksinën AstraZeneca mund ta lëshojë deri më 29 janar./ REL