Agjencitë dhe Operatorët turistikë të cilët prej më shumë se dy muajsh, pavarësisht se nuk u mbyllën me vendim qeverie për shkak të pandemisë, por natyralisht i mbylli fizionomia e aktivitetit të tyre, pasi bllokimi i kufijve dhe izolimi në shtëpi, çoi në kolapsin e turizimit, po përpiqen të luftojnë me ide shpëtuese.
Edhe pse u la një datë, 18 maj, e cila qendroi për gjatë në faqen e Autoritetit të Aviacionit Civil, si datë kur do të nisnin fluturimet e limituara që do të çelnin kufirin ajror, ende nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim dhe sipërmarrjet që operojnë në fushën e turizmit, edhe pse jeta ka nisur në vend, nuk po arrijnë të arkëtojnë ende centët e parë, pasi për plazh, nuk mund të shkohet as deri në Durrës sepse vijon ende të jetë zonë e kuqe covid-19.
Shoqatat e turizmit bëjnë me dije se rezervimet e huaja për në Shqipëri janë anuluar 100% tashmë deri në fund të qershorit dhe pjesa tjetër është pezull.
Në këto kushte, por duke iu qasur turizmit të brendshëm dhe atij rajonal, me shpresë se do të nisë së shpejti, grupimi i Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike shikon si zgjidhje konkrete dhe të shpejtë që hotelet dhe rezortet shqiptare që do të çelin aktivitetin e tyre për këtë sezon, të orientojnë shitjet, jo tashmë në booking.com, por tek turoperatorët dhe agjencitë.
Ajo çfarë propozojnë sipërmarrësit është:
– një databazë e të gjitha njeëive akomoduese të vihet në dispozicion nga strukturat shtetërore dhe shoqatat e hotelerisë
– të zgjidhet një provider GDS (TravelPort Albania) që të mundësojë shitjen e këtyre hoteleve njësoj sikundër veprojmë me biletat.(Teknikalitetet do mundesohen nëse dakordësohet një nismë e tillë).
– çmimet aty të jenë kundrejt një komisoni dhe më të lira se Booking
– Hyrja në Travel port sipas konceptit B2B (biznes me biznes) për subjektet shqiptare
Kjo, thonë propozuesit, është një zgjidhje akute për këtë sezon, por edhe për perspektivën për ti dhënë një shtysë rimëkëmbjes së sektorit të vrarë tashmë.
“Nëse në booking shitet një dhomë hoteli supozojmë 40 euro nata, booking merr 15 % komision, ne propozojmë të marrim komision 5% më pak dhe të shesim ne për strukturat akomoduese shiptare”- sqarojnë kërkesën agjencitë dhe turoperatorët.
Ata përmes një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama për ndihmë thonë se “Ne kemi parë e diskutuar çfarë mund të mbyllim vete si plagë, por fatkëqësisht jo të gjitha plagët janë në dorë tonë, ndaj detyrohemi t’ju drejtohemi me kërkesën që të na ndihmoni që këtë barrë të mos e mbajmë të vetëm, për të mos parë një fund që do rrënonte familje të panumërta shqiptaresh si dhe do të cënonte konsiderueshem të ardhurat në buxhetin e shtetit për të mira publike.”
Nën hashtagun #tëshpëtojmëturizmin ata kërkojnë gjithashtu:
1. #Tehapimaeroportin. Bërjen me dije se kur do te jetë gati vënia në efiçencë të plotë e airoportit Nënë Tereza konform kushteve dhe standarteve të diktuara nga situata për post COVID-19, ç’ka do të mundësonte lejimin e fluturimeve hyrëse/dalëse (Eagle Route) për hapjen e Korridoreve Ajrore për fluturimet charter nga operatorët turistikë (incoming dhe outgoing) me dakortësine e palëve të interesuara. Eshtë e rëndesishme në opinionin tonë,që kjo vënie në eficencë të plotë të jetë jo më vonë se 22 Maj 2020 në mënyre që të realizohet qëllimi i shpëtimit të turizmit.
2. Bërjen të mundur të lëvizjes së lirë tokësore (hyrëse/dalëse) me dhe nëpërmjet shteteve kufitare (Greqi, Mal i Zi, Kosove, Maqedoni, etj.).
3. Bërjen të mundur në një kohë sa më të shpejtë që Protokolli i mbrojtjes ndaj Covid-19 në subjektet e Industrisë së Turizmit (pika të kalimit kufitar tokësor/detar/ajror, njësitë akomoduese, sitet arkeologjike, etj.) të jetë shkencor, praktik, që të parandalojë vonesat dhe kostot e teperta, çka do të pengonin direkt udhëtimet/pushimet si hyrëse (Incoming) ashtu dhe dalëse (Outgoing) për ne/nga Shqipëria.
4. Bërjen të mundur të pajisies me Çertifikatë Shëndetësore të sipermarjeve në fushen e turizmit, mbështetjen nga Qeveria për të mundësuar testimin e lirë dhe pajisjen me këtë çertificatë me kosto 0 (nqs kjo praktikë do të jetë kusht për tu aplikuar)
Grupimi i sipërmarrësve të turizmit kërkon gjithashtu edhe një paketë “Ndihme Financiare” e cila konsiston në :
a. Masa e ¨pagës së luftës¨ për bizneset e sektorit të turizmit (agjensi turistike dhe tour operator turistik) në shumën 40.000Lek/muaj të vijojë për një periudhë 12 mujore.
b. Subvenvionim me grante ose me kredi të buta për Industrinë e Turizmit (Operatorët/Agjensitë
Turistike) me interes 0 per 1 apo deri ne 3 vite nga (12 deri 36 muaj nga momenti i aprovimit)
në formë mjete xhiro si Overdrafte, MC Bussinesi, apo kredi AFM.
c. Rishikim të normave të interesit (nëpërmjet ristrukturimit) të instrumentave financiare ekzistuese të kredituara nga banka të nivelit të dytë për mjete xhiro si overdraft, përfshi MC Bussinesi, Letërgaranci, ku këto të fundit janë lidhur në vitin 2019 ose janë në proces në funksion të përmbushjes së kontratave me operatore dhe linja ajrore, perfshi IATA, në funksion të këtij sezoni turistik 2020-2021.
d. Mbrojtje nga Autoriteti i Linjës për njohjen e voucherave për të gjitha shërbimet e parapaguara nga turistët për sezonin turistik 2020, ku këto të fundit të jenë të vlefshme për përdorim deri në Shtator 2021 (për paketat turistike apo akomodimet incoming dhe outgoing), si dhe vlefshmërinë e biletave të parapaguara bazuar në kushtet e linjave ajrore, procedure e ndjekur edhe nga vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë.
e. Përjashtimin nga Taksat Lokale, Bashkiake të aplikueshme si Lokale deri në Shtator të vitit 2021.
f. Mbështetjen nëpërmjet një akti normativ të dalë nga Qeveria Shqiptare në lidhje me përshpejtimin e procedurave tatimore, në një kohë të shkurtër deri në 2 javë të riburësimit te Tvsh-se në masen 20%, për sektorin operatore turistike.
Grupimi i sipërmarrësve shqiptarë të fushës së turizmit sqaron se këto kërkesa për krijimin e pakestes së ndihmës financiare janë në mbeshtetje dhe e lidhur ngushtësisht me zgjidhjen e shqetesimeve për të shpëtuar sektorin, pasi kjo paketë ndihme financiare konsiston në minimizimin e kostove të aktivitetit, “si rezultat i pamundesisë së gjenerimit të të ardhurave në nivel mbijetese, per arsye të tipologjisë së aktivitetit tonë, ku pasojat e Covid-19 janë evidente dhe do të impaktojnë edhe për një periudhë 2-3 vjeçare kete sektor.”
Nga ana tjetër, në letrën e tij të përgjigjes kryeministri Edi Rama, u thotë sipërmarrësve të fushës së turizmit se qeveria tashmë ka nxjerrë dy paketa financiare pjesë përfituese e të cilave ka qenë edhe sektori i turizmit, po ashtu, shkruan në letërpërgjigje kryeministri, “në të njëjtën linjë me vendet e rajonit dhe vendet europiane jemi të gatshëm të pranojmë flutirme të dedikuara ose korridore ajrore nëse vendet nga të cilat do të nisen këto fluturime, do të bien dakord. Po ashtu jemi duke negociuar hapjen e kufijve tokësorë”.
Në lidhje me sistemin Voucher, sqaron kryeministri, po shihen me vëmendje rekomandimet e Komisionit Europian në lidhje me gjetjen e bazave ligjore dhe zbatimitë të mekanzimit.(gazetaSI)